Sejdiu pret basketbollistët shqiptarë

30/07/2010 19:30

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu priti sot përfaqësueset e basketbollit të Shqipërisë, Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Që të tri ekipet e basketbollit po marrin pjesë në një turne ndërkombëtar që po mbahet në Kosovë.

Me këtë rast presidenti Sejdiu iu ka uruar suksese ekipeve përfaqësuese të tri vendeve, duke theksuar se, përkushtimi i institucioneve është që sportistët kosovarë të marrin pjesë në garat ndërkombëtare.

Sejdiu e vlerësoi lart pjesëmarrjen e basketbollistëve të Emirateve të Bashkuara Arabe në këtë turne dhe i falënderoi ata për faktin që shteti i tyre është një nga vendet e para të Konferencës Islamike që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq, drejtuesit e tri federatave të basketbollit theksuan se, kur presidenti i një vendi fton në takim sportistët, tregon se vëmendja e tij është e përqendruar në zhvillimin dhe mbështetjen e sportit në përgjithësi.

Top Channel