Basel, ylli shqiptar shënon gol në Champions

30/07/2010 13:35

Një yll shqiptar po lind në futbollin europian. Bëhet fjalë për 17 vjecarin e Baselit, Granit Xhaka, i cili ka shënuar një gol nga rreth 30 metra ne ndeshjen e Champions League kundër Debrecenit.

Në ndeshjen e tretë të turit paraeleminator, Xhaka u fut në lojë në minutën e 88-të dhe i kanë mjaftuar vetëm 4 minuta për të kalibruar këmbën në mënyrën e duhur. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-0 cka u siguroi zvicerianëve më shumë siguri për takimin e kthimit në shtëpi. “E pabesueshme. Eshtë një gëzim i madh për mua qe në ndeshjen e parë në Ligën e Kampionëve shënova golin e parë”, ka thënë Xhaka pas ndeshjes. Pozicioni i të riut është mbrojtja dhe ai mbahet si një nga talentet më të mëdha edhe në kombëtaren U-17 të Zvicrës.

“Për 17-vjeçarin nuk ishte e mjaftueshme që debutoi në minutën e 88-të. Ai mori katër minuta më vonë topin dhe gjuajti fuqishëm, duke shënuar golin e tij të parë”, ka komentuar faqja zyrtare e UEFA-s. Trajneri i Baselit, Thorsten Fink, ka përgëzuar Granitin, por i ka thënë se duhet të presë derisa të bëhet lojtar titullar i skuadrës.

“Graniti është ende 17 vjeç, por ne e dimë se ai ka një goditje shumë të mirë. Ai duhet të jetë i durueshëm, pasi ai nuk do të aktivizohet menjëherë në çdo ndeshje. Ai ka një të ardhme të madhe dhe ne duhet të kemi kujdes, mos ta dëmtojmë. Xhaka dhe Valentin Stockeri na kanë dërguar në një pozitë shumë të mirë. Duhet të luajmë me kujdes në ndeshjen e javës së ardhshme”, ka thënë Fink.

Top Channel