Vizat dhe statusi

29/07/2010 23:10

Liberalizimi i vizave dhe kandidatura e Shqipërisë në BE ishin dy pika të rëndësishme të takimit mes shefit të qeverisë shqiptare Sali Berisha dhe kryeministrit në detyrë të Belgjikës, Yves Leterme.

Por, ndërsa presidenca belge nuk garanton një datë të qartë gjatë mandatit të saj për marrjen e vendimit mbi liberalizimin e vizave, Leterme theksoi se shpresonte tek autoritetet shqiptare që të mos përsëritej fenomeni që u has me Maqedoninë dhe Serbinë pas heqjes së vizave shengen.

“Proçesi i përmbushjes se të gjitha kritereve nga qeveria shqiptare bazohet mbi meritat dhe udhërrëfyesi duhet zbatuar, ndaj ne do të shohim vlerësimin që do të raportohet pas vizitës së grupeve të ekspertëve dhe nisur nga eksperienca që patëm me Serbinë e Maqedoninë, ne jemi e do të tregohemi shumë të kujdesshëm për të parë se çfarë do të ndodhë kur liberalizimi i vizave me Shqipërine të hyjë në fuqi”, tha kryeministri belg, Leterme.

Kryeministri Berisha shpjegoi se janë ndërmarrë fushata sensibilizuese për informimin e qytetarëve në këtë drejtim.

“Ne kemi ngritur një strategji për të riatdhesuarit që do të kthehen sepse ata mund dhe të mendonin të qendronin më gjatë, por Komisioni Europian vendosi disa kushte dhe ne i plotesuam, po i plotësojmë të gjitha ato”, deklaroi kryeministri Berisha.

Miratimi i legjislacionit të nevojshëm, zbatimi i ligjeve, funksionimi i duhur i institucioneve dhe veçanërisht zgjidhja e “qorrsokakut politik” siç e quajti kryeministri Leterme ishin shqetësimet kryesore për Shqipërinë që ndau presidenca belge me median.

“Është ende problemi i situatës politike që e diskutuam me kryeministrin Berisha e mendoj se nevojitet ende vëmendje për këtë çështje sepse gjykoj se do të luajë një rol të rëndësishem të vlerësimin e Komisionit që po drafton opinionin që publikohet në nëntor, me duket. Kështu që ne inkurajojmë lidershipin, qeverinë shqiptare, për të gjetur mënyrën për ta zgjidhur këtë problem. E dimë që në kuadër të aktiviteteve të Parlamentit Europian janë bërë disa përpjekje të mira dhe që Zoti Berisha është i vendosur për të mos lejuar një impakt negativ të kësaj situate në mundësinë e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së”, vijoi më tej kryeministri belg, Leterme.

Burime të besueshme pranë Komisionit Europian rrëfejnë se ka pasur tentativa nga Tirana për të shtyrë publikimin e opinionit për statusin kandidat, çfarë parashikohet të ndodhë në 10 nentor, por një përpjekje e tillë nuk konfirmohet nga qeveria shqiptare.

“Marrëdhëniet tona me Komisionin janë transparente. Por ka një gjë, ata bëjnë punën e tyre dhe ne tonën. Ne s’mund t’i detyrojmë ata të shtyjnë ose jo opinionin. Ata kanë axhendën e tyre. Ajo që ka rëndësi është se qeveria ime është e vendosur për arritjen dhe konsolidimin e kritereve të Kopenhagenit. Në kuadër të rezolutës së Parlamentit Europian, një gjë është e sigurtë, se çfarëdolloj gjëje që mund të bëj, unë nuk mund të udhëheq opozitën. Ajo është sovrane, merr vendimet e saj, dhe cilatdo qofshin këto vendime, jam i detyruar t’i respektoj si kryeminister dhe jam i detyruar mos të tregoj arrogancë ndaj tyre”, tha kryeministri shqiptar.

Për qeverinë aktuale në Belgjikë mbështetja ndaj Shqipërisë mbetet e kushtëzuar.

“Ne mbështesim Shqipërine me kusht që të përmbushen të gjitha kriteret”, tha kryeministri Leterme.

Negociatat për zgjedhjen e qeverisë së re belge vijojnë, por ky qendrim nuk pritet të ndryshojë dhe nga ekipi pasardhës.

Top Channel