Nimani firmos për Vllazninë

26/07/2010 12:30

Duheshin vetëm pak orë që Vllaznia të nisej për në fazën përgatitore, por skuadra e Valter Fushajt nuk ndalët në merkato. Kuqeblutë kanë bërë një blerje të fundit: ai është shkodrani Valdano Nimani.

Lojtari i Laçit, sezonin e kaluar, është larguar zyrtarisht nga klubi bardhezi, duke nënshkruar një kontratë me skuadrën e vendlindjes, Vllazninë. Akordi midis dy klubeve u gjet vetëm pak orë para nisjes për në Serbi, ku skuadra do të zhvillojë edhe fazën përgatitore në prag të nisjes zyrtare të kampionatit shqiptar më 21 gushtin e ardhshëm.

Ish i adhuruari i tifozerisë kurbinase, i cilësuar prej tyre si një “Mesi” i Laçit, i bashkohet listës kuqeblu për sezonin e ardhshëm. Ndërkohë që burime pranë klubit bëjnë të ditur se tashmë, trajneri Radonjiç nuk e ka mbyllur ende merkaton. Ai është në kërkim të futbollistëve të tjerë, të cilët do të jenë përforcimi i Vllaznisë së ideuar prej tij, për të qenë e denjë në luftën për trofetë e kampionatit shqiptar të futbollit, titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë.

Sikurse është bërë e ditur dje nga burime të besueshme pranë klubit, në dispozicion të trajnerit malazez pritet të vihet edhe një futbollist paraguaian, identiteti dhe roli i të cilit nuk janë bërë publik ende. Ndërkohë që të shtunën, shkodranët i kishin shtuar listës së tyre zyrtarisht edhe një blerje të re. Bëhet fjalë për Danijel Jumiç, sulmuesi kroat, i cili u provua për një javë nga ana e stafit drejtues. Ai ka arritur ta bindë Radonjiçin për aftësitë e tij dhe dje njëkohësisht ka bindur edhe presidentin Fushaj, për të firmosur me të. Për rrjedhojë, 24-vjeçari sot do niset me ekipin për në përgatitoren e Serbisë. Sulmuesi kroat, Danijel Jumiç, ka mbërritur mbrëmjen e së premtes në Shkodër dhe paraditen e së shtunës ka arritur një marrëveshje përfundimtare me presidentin Valter Fushaj.

Top Channel