Ferrari, triumf dhe gjobë

25/07/2010 19:05

Atmosfera e triumfit dhe marrjes së pikëve maksimale në garën e Hokenheimit në Gjermani në kampin e e Ferrarit prishet nga vendimi i FIA-s për të gjobitur me 100 mijë euro skuderinë italiane.

Menjëherë pas përfundimit të garës përfaqësues të Ferrarit u thërritën nga komisarët dhe inspektorët e garës të cilët u kërkuan shpjegime në lidhje me parakalimin e Alonsos ndaj Masa në xhiron e 49 të garës. Arsyetimet e ferraristëve nuk arritën të bindin FIA-n se gjithçka ishte brenda një gare korrekte mes dy pilotëve Alonso e Masa. Organizatorët e kampionatit gjobitën “kokëkuqen” me 100 mijë euro.

“Alonso është më i shpejtë se ty. E more mesazhin?”. Ky ishte mesazhi i dërguar në radio pilotit Felipe Masa teksa ky i fundit udhëhiqte garën i ndjekur nga Fernando Alonso në vendin e dytë, mesazh ky që do t’i hapte rrugë parakalimit të Alonsos vetëm pak çaste më vonë.

Episodi i cili vendosi fatin e garës, veç gjobës prej 100 mijë eurosh shkaktoi edhe një situatë jo fort miqësore brenda kampit ferrarist. Në pod, gjatë ndarjes së çmimeve, u vu re një qendrim i ftohtë mes dy pilotëve të Ferrarit.

Top Channel