Starova, pas furtunës sheh diell

24/07/2010 12:10

Humbja e ndeshjes së parë në Holandë, e cila ishte edhe shkaku i shumë akuzave për trukim (që prishën për disa ditë edhe harmoninë brenda Tiranës), la një shije të hidhur prapa.

Të shumtë ishin ata që e shikonin skuadrën shqiptare si të padenjë për të luajtur në Europë. Madje vetë trajneri Sulejman Starova, i cili ishte një nga protagonistët kryesorë të polemikave të fundit, u shpreh më pas se “holandezët qëndrojnë shumë më lart”, ndërsa linte të kuptohej se ekipi i tij nuk ishte konsoliduar ende. Por vetëm një javë pas katastrofës holandeze të bardhebluve, në kryeqytet, Tirana arrin të luajë si e barabartë me Utrehtit, madje në shumë raste ka epërsi në lojë dhe krijon më shumë rrezik në portën kundërshtare. Për trajnerin e Tiranës, barazimi në ndeshjen e kthimit ndaj Utrehtit ishte një sinjal pozitiv pas humbjes së turpshme 4-0 në Holandë.

“Zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë. Arritëm të barazonim, edhe pse mund të kishim fituar. Rastet për shënim i krijuam, na duhej vetëm pak më tepër përqendrim në finalizim për ta fituar këtë takim”, shprehet Starova, tani kur bashkë me skuadrën kanë mundur të vënë disi në vend nderin e humbur të enjten e kaluar në stadiumin “Galgenvaard”. E nëse një javë më parë ishte pikërisht ai që i vuri përballë akuzave futbollistët e tij, duke aluduar për trukim të mundshëm të rezultatit 4-0 nga disa lojtarë bardheblu, këtë herë nuk nguroi t’i falënderojë ata të gjithë, pa përjashtim, për një paraqitje e cila e kishte lënë shumë të kënaqur “Bobin”. “Dua të falënderoj të gjithë lojtarët, edhe ata që u aktivizuan si zëvendësues, pasi para tifozerisë bardheblu përfaqësuan denjësisht fanellën që veshin. Ata i zbatuan mirë detyrat dhe treguan epërsi gjatë gjithë takimit. Kisha besim te lojtarët e mi dhe e dija që ata do të shfaqnin vlerat më të mira të tyre”. Gjithsesi ndryshimi i madh nga ndeshja e parë në të dytën, brenda 7 ditëve, tregon se Tirana nuk është një skuadër e qëndrueshme, loja e saj ka oscilacione. Gjithsesi, tekniku bardheblu fajin ia vë kohës së pakët që ka pasur në dispozicion për të punuar me skuadrën. “Jemi një skuadër e re, e ndërtuar vetëm gjatë muajit qershor dhe për kaq sa bëmë, u kualifikuam në Hungari. Për ne ishte sukses”, nënvizon Starova. Por për sa u përket shanseve për kualifikim edhe në këtë tur, ai është i mendimit se ato nuk ekzistonin dhe i rikthehet edhe njëherë të bëjë elozhe për kundërshtarët. “Në Kupat e Europës treguam dinjitet dhe e përfaqësuam si duhet futbollin shqiptar. Kundër një skuadre holandeze është e pamundur të besosh që mund të kualifikohesh. Tani na duhet të fillojmë të përgatitemi për kampionatin”, përfundon trajneri i Tiranës, i cili tashmë ka si detyrë të ndërtojë ekipin që do të luftojë në titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë që nga 21 gushti e më pas.

Top Channel