Bogdani kërkon ringjalljen te Çezena

24/07/2010 12:35

Më në fund Erion Bogdani është zyrtarizuar si lojtar i skuadrës italiane të Çezenës. Pas nënshkrimit të një kontrate për një sezon, me opsionin e rinovimit të saj në verën e ardhshme edhe për një edicion tjetër, sulmuesi shtatlartë shqiptar ka zbritur dje në fushë për stërvitjen e parë me shokët e rinj të skuadrës, me të cilët do të luftojë për realizimin e objektivave të përcaktuara për 2010-2011 në Serinë A.

Po sigurisht, interesimi i madh i mediave të pranishme ishte thuajse i gjithi për të. Ish-lojtari i Kievos ka treguar gatishmërinë e tij për t’ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Në lidhje me transferimin te Çezena, Bogdani është shprehur se për të kjo ishte lëvizja e duhur. Sulmuesi gjithashtu ka nënvizuar se shpreson që të gjejë jo vetëm formën, por dhe golin e munguar në serinë A. Kujtojmë se në dy sezonet e fundit nën bluzën e Kievos kishte mundur të shënonte vetëm 3 herë (2 në të fundit, dhe një në të mëparshmin).

“Sigurisht që aventura te Kievo nuk ishte më e mira e mundshme, megjithatë jam i kënaqur për atë që kam bërë për atë ekip. Fakti që jam transferuar në një skuadër të Serisë A, do të thotë shumë. Jam në një moshë kur duhet të shfrytëzoj çdo shans që më jepet. Seria A ka mbetur gjithnjë prioriteti im, pasi prej vitesh luaj këtu dhe nuk dua të largohem nga ky kampionat. Jam i bindur se do të bëjmë mirë. Nëse luaj rregullisht dhe nëse skuadra bën një lojë ofensive, sigurisht që do të jetë më e thjeshtë për t’u rikthyer te goli”, është shprehur sulmuesi i kombëtares shqiptare, Erion Bogdani. Në këtë ekip ai ka gjetur edhe trajnerin Masimo Fikadenti, i cili e njeh mirë, pasi të dy kanë punuar bashkë edhe te Verona në Serinë B, në atë që quhet sezoni i shkëlqyer i shqiptarit në futbollin italian.

Top Channel