Tirana-Utreht, luhet nderi bardheblu

22/07/2010 11:00

Kualifikimi për në turin e tretë të Europa League është një “mollë e ndaluar” për Tiranën.

Dhe kjo vjen si rezultat i një humbjeje të turpshme 4-0 në takimin e parë në Holandë ndaj Utrehtit, e cila u bë më pas shkak i një orteku polemikash të brendshme te bardheblutë, ku nuk munguan akuzat mes protagonistëve për trukim ndeshjeje.

Edhe pse këtyre polemikave iu vu të martën një kapak formal, gjendja në klubin bardhelbu nuk është më e mira. Megjithatë, Tiranën e thërret sot fusha, pasi në orën 19:30 do të luajë në “Qemal Stafa” formalitetin e mundshëm të një eliminimi të paralajmëruar ndaj holandezëve të Utrehtit.

Tirana do të luajë shanset e saj të pakta për ta fituar këtë ndeshje, gjë që do t’i vlente për të vënë në vend nderin e humbur 8 ditë më parë në stadiumin e kundërshtarëve “Galgenvaard”. Humbja në Holandë me rezultatin e thellë 4-0, pas dy gafave të pafalshme nga portieri Ilion Lika, i dhanë një goditje të madhe shkëlqimit të Tiranës në kualifikimin e merituar pas 210 minutash lojë me hungarezët e ZTE-së. Kundër Utrehtit do të jetë një mision i pamundur përmbysja e dizavantazhit prej katër golash të ndeshjes së parë, pasi vetëm një fitore 5-0, apo më e thellë, do të mund t’i kualifikonte bardheblutë. Por së paku klubi rekordmen në Shqipëri për sa u përket ndeshjeve ndërkombëtare dhe trofeve duhet të tregojë se e meriton të largohet me dinjitet nga aktiviteti i dytë më i rëndësishëm europian për klubet. I këtij mendimi është edhe vetë trajneri Sulejman Starova. “E rëndësishme është që të bëjmë një paraqitje dinjitoze, ndryshe nga ndeshja e parë. Rezultati i takimit të parë nuk na lejon të kemi të tjera pretendime”, përfundon tekniku, i cili ishte edhe zëri më i lartë në akuzat ndaj lojtarëve të tij për shitje të ndeshjes. Në takimin e parë në Holandë, rezistenca e djemve të Sulejman Starovës zgjati vetëm 8 minuta, kur sulmuesi holandez Riki van Volfsvinkel shënoi golin e parë për vendasit. Më pas i njëjti lojtar shënoi sërish në minutën e 27-të për ta trefishuar rezultatin në minutën e 30-të me ganezin Nana Asare. Pas 45 minutash Tirana humbi 3-0, në vendin ku rreth 40 vjet më parë një tjetër formacion bardheblu në vitin 1970 i kishte rezistuar Ajaksit të Amsterdamit (2-0), në fillimet e kulmit të klubit të famshëm holandez. Në pjesën e dytë erdhi edhe goli i 4-0 për vendasit me autor Mertens. Ndërsa Tirana e gjuajti vetëm një herë portën kundërshtare. Kundërshtarët holandezë dje kanë mbërritur në kryeqytetin shqiptar dhe pasi janë akomoduar në hotel “Sheraton”, në orët e para të mbrëmjes kanë zbarkuar në “Qemal Stafa” për stërvitjen e vetme në fushën ku do të luhet ndeshja. Kompanitë e basteve në botë, nisur edhe nga humbja 4-0 e Tiranës në ndeshjen e parë, kanë vendosur këto koeficiente: 1.57 fitorja e Utrehtit, 3.8 barazim dhe vetëm 5.5 fitorja e Tiranës.

Tifozët bardheblu do të hyjnë falas në ndeshjen kundër holandezëve të Utreht, takimi i kthimit të turit të dytë të Ligës së Europës. Sfida në Holandë përfundoi 4-0 për Utreht. Tirana do të përfitojë 7 mijë euro nga e drejta televizive e transmetimit të ndeshjes Tirana-Utreht (Holandë).

Top Channel