Shqiptari Kasami “çmend” Palermon

22/07/2010 13:30

Vetëm gjatë kësaj vere ka pranuar ofertën e Palermos, por pak kohë i ka mjaftuar për t’u shndërruar në një ndër lojtarët më të përfolur të skuadrës siciliane, që militon në Serinë A.

 Bëhet fjalë për Pajtim Kasamin, shqiptarin me origjinë nga Maqedonia, i cili tashmë zotëron pasaportë zvicerane dhe luan në kombëtaren e këtij vendi. Futbollisti shikohet si një xhevahir i ri për skuadrën ishullore italiane.

Sipas mediave përtej Adriatikut, “ai po ecën në gjurmët e dy emrave të tjerë të njohur të kësaj skuadre, Kajerit të sapolarguar dhe të argjentinasit Pastore. Dhe nëse vazhdon kështu, do të jetë i destinuar të bëhet një tjetër goditje e bujshme në merkato e binomit Zamparini-Sabatini”.

“Nëse Kasami është këtu, ka bërë të ditur dje presidenti i sicilianëve, Zamparini, i detyrohem shumë drejtorit tim sportiv, i cili e ka ndjekur me interes që në kohën kur ishte te Lacio”. Mesfushori i shpresave të Zvicrës ka pasur një eksperiencë me të rinjtë e Liverpulit dhe zviceranët e Belinzonës.

Në fakt, mesfushori, i cili aktivizohet në kombëtare Under 21 të Zvicrës, ka mundur të familjarizohet shumë shpejt me kampionatin italian të futbollit në 2009, kur mbërriti në kryeqytetin italian në radhët e Lacios, pas një periudhe kohe te klubi i Liverpulit. Megjithatë, me bluzën e bardhekaltërve italianë nuk mundi të aktivizohej asnjëherë, sepse vendimi i FIGC, i domosdoshëm për teserimin e tij, nuk erdhi kurrë. Në këtë situatë ai u detyruar të kalonte në dhjetorin e kaluar në ekipin e Belincolës. Këmba e tij më e mirë është e majta, është i fortë fizikisht dhe zotëron cilësi të mira si shënues golash. Një gjë të tillë e ka demonstruar edhe me 5 golat e realizuar në dy miqësoret e fundit të Palermos (ndaj Bad Klajnkirshhajm e Radenthajn). Kasami ka mbërritur në ekip në momentin e duhur, pas largimit të Kavanit. “Kujdes: uruguaiani është sulmues, Pajtimi është mesfushor. Le të themi se është më shumë një Pastore, sesa një Kavani”.

Top Channel