
Ka ardhur me vonesë, por gjithsesi në fund ka qenë përgjigje pozitive. Fundi i ofertës së Vllaznisë për sulmuesi Vioresin Sinani ka përfunduar më në fund me “happy end”.
Bomberi 32-vjeçar do të jetë futbollist i klubit kuqeblu për sezonin e ardhshëm. Sulmuesi rikthehet në Shkodër pas një gjysmë kampionati të luajtur në Kavajë, ku ka fituar edhe Kupën e Shqipërisë. Sinani ka qenë lojtar i lirë në fund të edicionit të shkuar dhe të gjithë faktorët sportdashës në Shkodër kanë kërkuar rikthimin e tij në ekip.
Presidenti Fushaj ka qenë tashmë i detyruar ta rikthejë lojtarin, pasi ai garanton sukses në vijën e parë të sulmit. Dje është pritur zyrtarizimi i kësaj marrëveshjeje dhe zbritja e sulmuesit në stërvitje me skuadrën, por asnjëra prej tyre nuk ka ndodhur ende. Sulmuesi shkodran (173 gola me Vllazninë) rikthehet kështu tek ekipi ku është formuar si futbollist.
3 herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë (2 herë me Vllazninë, 1 herë me Tiranën) është futbollisti i tretë që nënshkruan në urdhrat e trajnerit malajzian, Mojash Radonjiç, pas portierit malajzian, Mirosllav Vujadinoviç, dhe mbrojtësit Olsi Gocaj. Një tjetër lëvizje të bujshme ka bërë edhe Skënderbeu, i cili ka afruar në radhët e tij sulmuesin e Teutës, Vangjel Mile. Futbollisti, pasi ka luajtur për disa sezone me skuadrën durrsake, ku madje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit, që nga dita e djeshme është vënë në dispozicion të trajnerit “Ujqërve të Dëborës”, Shkëlqim Muça në Mavrovë, ku korçarët po zhvillojnë edhe fazën përgatitore. Prej së paku një muaji pa skuadër, pas prishjes së akordit me kompromis me Hasanbelliun, Mile ka qenë në bisedime me disa klube shqiptare.
Fillimisht ka qenë në tratativa me Vllazninë, por rroga e ulët që i ofroi klubi shkodran e bëri të thoshte jo. Muça sapo është vënë në dijeni të faktit që futbollisti ishte pa kontratë, ka nxituar që t’i japë një shans në skuadrën e tij. Skënderbeu për momentin ka vetëm Memën në sulm dhe në pritje të Sefës nga Dinamo. Mile është një futbollist që e njeh mirë kampionatin shqiptar dhe sigurisht që mund të luajë në disa pozicione në vijën e parë.
Top Channel