Inter blen “binjakun” e Patos

20/07/2010 03:30

Interi i Benitezit ka kryer goditjen e parë në merkaton verore. Blerja e re nuk është Maskerano, Xherard dhe as Kajt të kërkuar me ngulm prej teknikut spanjoll, por Kutinjo, një talent premtues nga Brazili i largët.

Lojtari që rastësisht ka një ngjashmëri të madhe pamore me sulmuesin e Milanit, Aleksandre Pato u prezantua ditën e hënë në ambientet zikaltër.

“Jam krejt ndryshe nga miku im Pato. Ai është një sulmues i mirëfilltë ndërsa mua më pëlqen të luaj pas sulmuesve, pak a shumë si Shnajder”, deklaroi për mediat talenti brazilian.

Për blerjen e re u shpreh euforik edhe trajneri Benitez.

“Ka shumë cilësi dhe mund të jetë e ardhmja e skuadrës së Interit. Të gjithë tifozët u befasuan nga cilësitë e tij dhe jemi të sigurtë që do të punojë shkëlqyeshëm me në”, deklaroi Benitez.

Blerja e re në repartin ofensiv të skuadrës së Moratit duket se përforcon hamendësimet e mediave për një largim të Balotelit drejt Anglisë, ku këmbëngul për të patur shërbimet e tij Mançester Siti.

Top Channel