Gallatasarai kërkon edhe Valon Behramin

20/07/2010 12:55

Mes gjigantit të futbollit turk, Gallatasarait dhe shqiptarëve duket se ka lindur “dashuria”. Një gjë të tillë e konfirmon fakti se pas blerjes së Lorik Canës, klubi i njohur edhe në arenën ndërkombëtare dëshiron të afrojë në gjirin e saj një tjetër futbollist me gjak shqiptari.

Bëhet fjalë për Valon Behramin, kosovarin me pasaportë zvicerane, i cili luan në Premier League në radhët e skuadrës së Uest Hemit. Lajmi është bërë i njohur nga disa media turke, por edhe nga ato angleze. Drejtuesit e klubit turk, pasi kanë testuar situatën, kanë hedhur në tavolinë dhe një ofertë në blerjen e mesfushorit kosovar, e cila shkon deri në 8 milionë euro.

Por për ta realizuar këtë objektiv të tyre, ata do të duhet të mundin konkurrencën e fortë, që po shfaqin gjermanët e Shalkes, të cilët kanë ofruar të njëjtën shifër.

Gjithsesi në ditët në vazhdim pritet të ketë edhe tratativa të tjera, pasi Gallatasarai duket shumë i bindur në kërkim të Behramit, pasi e shikon atë si një përforcim të nevojshëm për të ndërtuar një skuadër fituese jo vetëm në kampionatin turk, por edhe në Kupat e Europës.

Valon Behrami është një futbollist i spikatur në futbollin ndërkombëtar. I lindur në Mitrovicë më 19 prill 1985, ai e ka nisur karrierën si futbollist profesionist te Lugano në Zvicër në sezonin 2002-2003. Në sezonin pasardhës u transferua te Xhenoa në Serinë B, ku luajti për dy edicione. Në 2005-n firmosi me Lacion, por kaloi në formë huazimi te Verona, ku spikati në krah të shqiptarit tjetër, Erjon Bogdani. Në 2006-n skuadra e kryeqytetit italian e mori në skuadrën e saj, kur shkëlqeu deri në 2008-n, vit në të cilin u transferua në Premier League tek Uest Hemi. Behrami kërkohet edhe nga Roma dhe Juventus në Serinë A. Të dyja skuadrat italiane kishin shprehur dëshirën për ta pasur në grupin e tyre, por që për momentin nuk është se po avancojnë drejt tratativave konkrete.

Nëse do të pranojë ofertën e Gallatasarait, ai do të bëhet kosovari i dytë në ekipin elitar turk, bashkë me Lorik Canën, i cili u transferua në një mënyrë të bujshme vetëm pak javë te ky klub ambicioz. Loriku aktualisht po synon integrimin në radhët e skuadrës së tij të re dhe sipas komenteve të shtypit turk, falë paraqitjeve të mira në ndeshjet miqësore gjatë kësaj periudhe, ai tashmë e ka fituar një vend në 11-shen titullare. Dje është mësuar se Canës nuk i është dhënë numri i shumë dëshiruar, 19, pasi ai tashmë i ka shkuar Kjuellit. Por mbi shpinë në sezonin e ardhshëm turk, mesfushori i Kombëtares shqiptare do të mbajë numrin 7.

Top Channel