Tirana, prapaskenat e një trukimi në Holandë

19/07/2010 11:05

Humbja e turpshme me Utrehtin nuk është përtypur dot nga kjo Tiranë, e cila, edhe pse me shumë probleme të brendshme, shpresonte në një paraqitje më të mirë se kaq në kupat e Europës.

Gjithsesi, me të vënë këmbën në Tiranë, drejtuesit kryesorë të saj nuk është se kanë heshtur. Madje gjëja e parë që kanë preferuar të thonë, ka qenë fjalia e zakonshme thuajse pas çdo humbjeje të skuadrave shqiptare të Europës: “Ishte një ndeshje e shitur!”.

Në këtë rast ata që e thonë janë drejtuesit më të lartë të klubit me më shumë histori në kampionatin shqiptar të futbollit. I pari që e mori fjalën dhe që nuk e mbajti dot mllefin që kishte përbrenda, ishte trajneri Sulejman Starova. Numri një i pankinës së bardhebluve ishte kontaktuar para ndeshjes nga disa miq të tij, të cilët i kishin thënë se Tirana do të mundej “4-0 nga Utrehti”.

Trajneri nuk e ka besuar një gjë të tillë, gjithsesi mësohet se ka vënë në dijeni drejtuesit e tjerë të klubit për informacionin e marrë në një rrugë “operative”. Sipas informacioneve të thëna së fundmi, menjëherë pas informimit, drejtuesit më të lartë të klubit, donatori Refik Halili dhe sekretari i klubit Rauf Dimraj, kanë diskutuar së bashku dhe kanë arritur në përfundimin se duhej të bënin patjetër një lëvizje për të shmangur realizimin e një trukimi të mundshëm nga disa lojtarë të tyre.

Për këtë arsye ata kanë shkuar në dhomat e gazetarëve dhe kanë ofruar premio për lojtarët baras me gjysmën e përfitimeve që vijnë nga UEFA për impenjimin e Tiranës në turin e tretë të Europa League. Gjithsesi, në fund, Tirana është mundur 4-0, për çudi aq sa pretendon Starova se i kanë thënë miqtë e tij.

Ky pohim i shoqëruar dhe me rezultatin “në kokë” 4-0, ka bërë të ngrihet mjegulla e madhe e një trukimi mbi ndeshjen Utreht-Tirana. Gjithsesi, me të vënë këmbën në Tiranë, trajner Starova nuk është kursyer. Ai ka deklaruar se “disa nga lojtarët e mi kanë shitur ndeshjen. Sigurisht që nuk më vjen mirë të them, po miq të mi më kanë thënë që lojtarët janë interesuar në kompanitë e basteve se sa ishte koeficienti për shënimin e katër golave e sipër. Është një turp për këta lojtarë që veshin fanellën e Tiranës”.

Edhe presidenti Halili ka qenë në të njëjtën linjë, por që të dy nuk kanë preferuar të japin emra konkretë. Ndërkohë që gjithsesi nën zë emrat kanë filluar të qarkullojnë. Një ndër më të dyshuarit është Julian Ahmataj, i cili (sipas burimeve pranë drejtuesve) gjatë gjithë udhëtimit ka pasur me vete një laptop, ku pjesën dërrmuese të kohës e ka kaluar duke hulumtuar në faqet e basteve. Një tjetër emër i përfolur është edhe portieri i Tiranës,

Ilion Lika, i cili ka ardhur vetëm gjatë merkatos së kësaj vere. Gardianit të portës së bardhebluve i ka dalë në qarkullim emri, por pa u sqaruar asnjë rrethanë se cila është gjëja që e implikon atë. Në qendër të akuzës është edhe reparti i mbrojtjes. Ndërkohë që dje ka ardhur reagimi i futbollistëve, të cilët (sipas shtypit sportiv) i kanë kërkuar trajnerit “të flasë me emra konkretë, ose të largohet”. Orët në vazhdim pritet të ofrojnë zhvillime, që siç ndodh zakonisht në Shqipëri, nuk është çudi të mos gjejnë kurrë një zgjidhje.

Top Channel