Ilir Tolaj, këshilltar i ministrit kosovar të Shëndetësisë Bujar Bukoshi, ka deklaruar pas lirimit nga gjykata se arrestimi i tij ishte i motivuar politikisht.

“Qëllimi ka qenë shkatërrimi i karrierës politike. Por ky popull e kupton se kush është ai që po punon për këtë vend”, ka pohuar Tolaj në një intervistë për TCH.

Ai ka insinuar se pas arrestimit të tij qëndron kryeministri Hashim Thaci, i cili nuk ngurroi të dilte në një konferencë për shtyp vetëm pak momente pas prangosjes.

“Në të njëjtën ditë që ndodh arrestimi, një orë më pas del Thaci dhe jep një deklaratë, ndërkohë që dy javë më parë ka ndodhur bastisja e shtëpisë dhe zyrës së tij”, është shprehur Tolaj.

Ai ka shtuar më tej se kur ka qenë sekretar i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë është konsideruar si personi kryesor që kryente shpërdorime.

Top Channel