Subashi: Hetimi i zgjedhjeve të kryhet nga kuvendi

15/07/2010 21:40

Deputeti socialist, Armando Subashi ka përshëndetur rezolutën e Parlamentit Europian dhe takimin e kryetarëve të dy grupeve më të mëdha parlamentare, për të arritur një kompromis për komisionin hetimor të zgjedhjeve.

Më tej ai vuri ne dukje rëndësinë e kësaj rezolute, duke theksuar se thelbi i saj flet për atë që ka kërkuar opozita që pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

“Në muajt e parë kur artikuluam kërkesën tonë, mazhoranca tha se kutitë nuk mund të hapen dhe zgjedhjet nuk mund të hetohen dhe është për të ardhur keq që edhe ato amendime që paraqitëm për komisionet parlamentare, u rrëzuan nga mazhoranca. Kolegët tanë të maxhorancës kanë reflektuar në këtë pikë. Ne kemi thënë se hetimi i zgjedhjeve që kërkojmë nëpërmjet kuvendit dhe komisionit hetimor do bëhet në bazë të parimit kushtetues të së drejtës së informimit që ka kushdo për të marrë informacion”, theksoi Subashi.

Ai shtoi gjithashtu se hetimi i zgjedhjeve duhet të kryhet nga kuvendi sepse është brenda kompetencave të tij. “Kemi thënë nuk kërkojmë hetim për ndryshim rezultati por për të marrë vesh cfarë ka ndodhur. Ajo cka ne kemi kërkuar lidhur me ngritjen e komisionit hetimor parlamentar nuk ka asnjë kundërshim me ndonjë nen të kushtetutës”, nenvizoi deputeti socialist.  

Top Channel