Financat, 4 miliardë lekë më pak për shëndetësinë

15/07/2010 08:15

Në kuadrin e uljeve të shpenzimeve, pasi buxheti i shtetit ndodhet në vështirësi financiare, edhe sektori i shëndetësisë do të bëhet pjesë e reduktimit të të ardhurave.

Këtë javë, Komisioni i Shëndetësisë është mbledhur dy herë, por çështja më e ndjeshme deri në fund të vitit do të jetë lidhur me shkurtimin e fondit të shëndetësisë, për shkak të problemeve që aktualisht janë evidentuar nga Ministria e Financave në “qesen” e buxhetit të shtetit.

Janë mbi 4 miliardë lekë të reja, të cilat do t’i hiqen shëndetësisë. Të gjitha këto para ishin planifikuar për rritjen e performancës në sektorin mjekësor, kundrejt rritjes së kujdesit të pacientit, si dhe në mënyrë të veçantë blerjes së medikamenteve e investimeve në infrastrukturë e pajisje.

Sipas projektbuxhetit të paraqitur nga Ministria e Financave, janë 4 miliardë lekë të reja që do të hiqen nga “depozita” e shëndetësisë dhe 1 miliard lekë prej tyre ishin parashikuar të shkonin për blerjen e pajisjeve spitalore.

Sakaq, për shkurtimin e shpenzimeve të shëndetësisë, sektor tepër i rëndësishëm për popullatën, sidomos pacientët, specialistët kanë qenë të mendimit që duhen parë me subjektivitet dhe jo objektivitet, njësoj si në sektorët e tjerë jetësorë.

Top Channel