Drafti i arsimit të lartë, anonim komisioni hartues

15/07/2010 08:25

Projektligji për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë ka pasur debate e diskutime, por një pikë ku kanë “ngecur” të gjithë është lidhur me vulën dhe firmën që mban ky draft.

Specialistë të arsimit, ekspertë, profesorë të sistemit privat e atij publik, kanë kërkuar të lidhen me specialistë e me grupin e punës që ka hartuar këtë draft, por në fakt nuk e kanë gjetur.

Si në projektin fillestar, ashtu edhe në draftin përfundimtar që ka miratuar qeveria, në kapakun e projektligjit nuk ka të dhëna, as emra se kush e ka kryer hartimin, nuk përmban ndonjë firmë të ekspertëve që u kujdesën për ndryshimet e neneve dhe as emra konkretë të grupit të punës që kishte në kujdestari çështjen e amendimeve në ligjin e arsimit të lartë.

Sakaq, një pjesë e universiteteve private janë shprehur se nuk mund të prononcohen lidhur me ndryshimet, për shkak se një projektvendim i tillë nuk u ka rënë në dorë, si dhe nuk kanë informacionin e bollshëm për atë që shkruhet e zezë mbi të bardhë, duke qenë se kopja e draftit nuk është bërë publike në sajtet përkatëse, si dhe nuk është shpërndarë në strukturat e arsimit të lartë.

Top Channel