
Ashtu sic kishte njoftuar edhe kryetari i Komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare, Leonard Demi, komisioni po harton një ligj të ri mbi kontrollin parlamentar të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Ligji i ri po hartohet me mbështetjen e OSBE-së, e cila ka mundësuar mbërritjen e një ish-anëtari të specializuar të Komisionit për Sigurinë dhe Shërbimet Informative të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar.
Së bashku me personelin e OSBE-së, ai do të japë rekomandime, të cilat përpara miratimit të projektligjit, do t’i paraqiten kryetarit të Komisionit të sigurisë kombëtare, Leonard Demi dhe anëtarëve të komisionit, anëtarëve te institucioneve dhe shoqërisë civile.
Sipas kreut të OSBE-së në Shqipëri, Robet Bosch, “mbikëqyrja parlamentare e shërbimeve kombëtare informative dhe të sigurisë, si edhe e institucioneve qeveritare që i mbikëqyrin ato, siguron llogaridhënien demokratike”.
Në Shqipëri këtë rol mendohet ta luajë Komisioni parlamentar i sigurisë kombëtare. Njoftimi i OSBE-së bën kujdes të theksojë se ligji që po hartohet me mbështetjen e saj, është është i ndryshëm dhe më vete nga ndryshimet në Ligjin “Për Shërbimin Informativ Shtetëror”, të debatuara publikisht së fundmi.
Ndryshimet e debatuara së fundmi në ligjin për SHISH u tërhoqën pas presionit nga Aleanca e Atlantikut të Veriut dhe një telefonate që shefi i saj Rasmunsen pati me kryeministrin Berisha.
Top Channel