Kombëtarja kuqezi fiton 8 vende në FIFA

14/07/2010 12:40

Fitoret në dy ndeshjet miqësore me Malin e Zi dhe Andorrën i kanë dhënë një impuls të ri Kombëtares Shqiptare jo vetëm në fushë por edhe në letër.

Ekipi i drejtuar nga Kuzhe që do ta nise fushatën eleminatore Euro 2012 në 3 shtator përballë Rumanisë, ka fituar plot 8 vende në renditjen e FIFA-s. Me 455 pikë, Shqipëria renditet e 71-ta në botë, duke lënë pas Malin e Zi dhe 6 vende më poshtë kundërshtarët e grupit, Bjellorusinë.

Kuqezinjtë kanë fituar terren edhe ndaj Bosnje Hercegovinës që tashmë renditet e 57-ta dhe Rumanisë që ndodhet në vendin e 42-të. Kreun e klasifikimit e ka marrë sërish Spanja që ka 1883 pikë, e ndjekur nga Holanda me 1659 dhe Brazili me 1536.

Në këtë renditje bie në sy rënia e lirë e Italisë që ka shkuar në vendin e 11-të, 6 pozicione më poshtë dhe Franca me 12 vende më pak në pozicionin e 21-të.

Top Channel