
Policia e Tiranës i ka dhënë fund një operacioni të nisur katër muaj më parë, gjatë të cilit u përfshinë policitë e Shqipërisë, Gjermanisë dhe Kosovës, duke arrestuar një grua si të fundmen e grupit kriminal që merrej jo vetëm me trafik ndërkombëtar heroine, por edhe prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.
Numri një i policisë së kryeqytetit, zoti Tonin Vocaj deklaroi për mediat se 46 vjecarja e arrestuar quhet Meliha Gjuzi, e cila është në të njëjtën listë me 11 të akuzuar të tjerë të operacionit “Triss”.
Operacioni, i zhvilluar që nga muaji mars e në vijim, njëkohësisht edhe me autoritetet gjermane, coi në pranga në këtë vend gjashtë persona, ndërsa pjesa tjetër e grupit u arrestua në Shqipëri.
“Arrestimi i shtetases se lartpërmendur u bë pas një hetimi 6 mujor i shtrirë në Tiranë, Kosovë dhe Gjermani, ku falë një pune të mirëorganizuar nga strukturat e Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisië së Qarkut Tiranë, në periudha të ndryshme kohore janë arrestuar 12 shtetas shqiptarë dhe të huaj për kryerje të veprës penale të “prodhimit dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, vepra këto të parashikuara përkatësisht nga nenet 283/2 dhe 278/2 të Kodit Penal”, ka deklaruar Vocaj.
Më herët Gjermania arrestoi katër shqiptarë dhe dy kosovarë për akuzën e prodhimit dhe shitje narkotikësh, ndërsa bllokoi rreth 10 kg heroinë.
Njëkohësisht policia e Tiranës arrestoi në Farkë tre vëllezër, duke iu sekuestruar rreth 3 kg heroinë, ndërsa në fshatin Qerret dy të tjerë u kapën me municione të ndryshme, për të cilat u tha jozyrtarisht se kishin hyrë nga Mali i Zi nëpërmjet Muriqanit.
Jozyrtarisht, pjesëtarë të këtij grupi pohojnë se gruaja e kapur në Tiranë është pjesëtarja e fundit e grupit. Ajo jetonte mes Tiranës dhe Gjermanisë dhe kishte shpëtuar pa u arrestuar nga aksioni i policëve gjermanë.
Top Channel