Topi i Artë, luftë dyshe Iniesta-Sneijder

12/07/2010 15:30

Komplikohet situata për kandidatin kryesor të Topit të Artë 2010 pasi në garë ka hyrë fuqishëm edhe mesfushori i Spanjës dhe Barcelonës, Andres Iniesta.

Ai bashkë me Xavi Hernandes kanë qënë përherë pas “portës” pasi u ka munguar një trofe i madh, por tani mund të thuhet me plot gojën se goli i finales e ka ngjitur Iniesta-n mes favoritëve. Një tjetër kandidat i fortë është edhe holandezi i Interit, Sneijder, i cili e ka në dorë fatin e vet pasi Interi do luajë brenda këtij viti për tre trofe, superkupën e Italisë, të Europës dhe të Botës.

Xavi dhe Villa kanë më pak shanse por duhet pritur vazhdimi i sezonit. Spanjolli i fundit që e ka marrë këtë trofe është Luis Suarez në vitin 1960. Nuk duhet lënë jashtë vëmendjes as Diego Forlan, i cili bëri volumin më të madh të lojës për Uruguajin duke e cuar mes 4 më të mirave në botë.

Një vit më parë ai fitoi Këpucën e Artë të Europës, ndërsa këtë sezon ndihmoi Atletico Madrid të fitonte Europa League. Një shkallë poshtë tyre qëndrojnë Diego Milito e Arien Robben.

Top Channel