Kombëtarja e Spanjës mbërrin në shtëpi

12/07/2010 19:40

Ka filluar festa në Madrid ku përfaqësuesja spanjolle, për herë të parë në histori, kampione e botës, është pritur nga familja mbretërore spanjolle dhe nga kryeministri Zapatero, i cili ka përgëzuar lojtarët e trajnerin për këtë sukses të arritur duke theksuar se kjo skuadër e këta lojtarë, përfaqësuan në mënyrën më dinjitoze vendin e tyre në Afrikën e Jugut.

Më pas, skuadra me Kupën e Botës ka zbritur mes tifozerisë nëpër sheshet e Spanjës ku miliona tifozë kishin dalë për të festuar. Përfaqësuesja e Spanjës mbërriti në Madrid mesditën e së hënës me një avion “Air Bus Iberik”. Kanë qenë të pakët tifozët në aeroport, por që kanë shkaktuar shumë zhurmë në momentin e daljes së lojtarëve me Kupën e Botës në dorë.

Të parët që kanë filluar festën kanë qenë pilotët e avionit të cilët në momentin e zbritjes në pistë kanë valëvitur flamuj spanjoll nga dritarja, ndërkohë në trupin e avionit shkruhej “Campeones”, një shprehje qe e thërrisnin të gjithë të pranishmit në aeroport. Më pas ishte radha e kapitenit, portierit Kasijas të ngrinte kupën në momentin e daljes. Pas tij është shfaqur trajneri Del Boske dhe lojtarët e tjerët ë përfaqësueses spanjolle.

Thuajse në të njëjtën orë ka mbërritur në aeroportin e Amsterdamit edhe përfaqësuesja e Holandës, kokëulur pas humbjes në këtë finale të madhe me Spanjën, ku vendimtar ishte Andres Iniesta me golin e tij në minutën e 117-të. Ndryshe nga avioni spanjoll, ai i përfaqësueses së Holandës shoqërohej nga një avion ushtarak.

Pas mbërritjes trajneri Van Marvijk i ka thënë turmës: “Ende nuk na ka ikur zhgënjimi që humbëm këtë finale tre minuta përpara përfundimit të lojës. Do ishte më mirë të shkonim te 11-metërshat pasi është një lojë fati, gjithsesi ne duhet të jemi krenarë pasi jemi një vend kaq i vogël e pavarësisht kësaj, renditemi në vendin e dytë në botë”.

FOTO GALERI
1/4
“Heronjtë” e Johanesburgut priten nga miliona tifozë

Top Channel