TOEFL-i “nënvlerëson” Fakultetin e Gjuhëve të Huaja

11/07/2010 09:55

Projektligji i arsimit të lartë, miratuar pak kohë më parë nga qeveria, ka disa probleme, për të cilat nuk janë konsultuar ekspertët e fushave.

Në rastin konkret, veç cikleve të studimit dhe ndryshimeve të tjera thelbësore për studentët dhe mbarëvajtjen e procesit të edukimit në vazhdimësi për universitarët, projektligji paraqet probleme edhe për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.

Në këtë rast, kjo strukturë ‘nënvlerësohet’ menjëherë pas futjes si kriter për certifikimin e gjuhës së huaj nga testi ndërkombëtar TOEFL. Ndryshe nga sa është kërkuar deri tani, që të gjithë kandidatët që janë në proces apo duan të konkurrojnë për master, duhet të kishin mbrojtur gjuhën e huaj pranë fakultetit përkatës. Lidhur me këtë, edhe dekanati i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja ka pasur kundërshti dhe reagime, të cilat do të përcillen shumë shpejt edhe me shkrim.

Projektligji

“Fakulteti i Gjuhëve të Huaja nuk është njohur me detajet e këtij drafti, i cili është hartuar pa u këshilluar për stafet akademike”, ka sqaruar dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Tiranë, Dibra. Sipas saj, ndërsa drafti ka kaluar në qeveri, një pjesë e mirë e profesorateve nuk janë në dijeni të ndryshimeve apo të neneve të shtuara lidhur me arsimin e lartë.

“Unë jam anëtar i konferencës shkencore të universiteteve dhe kam marrë pjesë në diskutimin dhe hartimin e amendamenteve shtesë për arsimin e lartë në Shqipëri. Nuk e di se çfarë është diskutuar në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, por do të doja që të merreshin në konsideratë mendimet dhe propozimet tona”, ka sqaruar dekani i Universitetit të Elbasanit.

Përfaqësues të rektoratit të Universitetit të Gjirokastrës dhe disa pedagogë, deklaruan se kishin shumë pak informacion për përmbajtjen e ndryshimeve në projektligjin e arsimit të lartë dhe se debatin e kishin njohur vetëm përmes mediave. Në këto rrethana nuk pranuar të prononcohen.

Lobimi

Drafti “Për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë” tashmë është miratuar në Këshillin e Ministrave dhe pritet të miratohet edhe në Parlament. Universitetet janë të bindura se nuk ka më kthim mbrapa, edhe pse ankesat e tyre kanë mbërritur në derën e Kryeministrit.

Ajo që u ka mbetur universiteteve, profesorateve që kanë ankesa dhe kundërshti për ndryshimet është të mbledhin forcat dhe të mendojnë së bashku për një zgjidhje me mjete demokratike, duke arritur zgjidhje alternative dhe konsensus mes palëve. Një zgjidhje e mirë dhe e vlefshme në këtë moment është lobimi në Parlament.

Sipas universiteteve që kanë kundërshtar projektligjin, anëtarët e Parlamentit do të takohen dhe do t’u shpjegohet e gjithë “zallamahia” që prek studentët e diplomuar, ata që po diplomohen, si edhe shkeljet apo mbivendosjet e disa pikave me Kushtetutën dhe autonominë universitare.

Zyrtarisht, universitetet konfirmojnë se nga sot nis lobimi në Parlament. Do të kërkohet mosaprovimi i projektligjit dhe rikthimi i tij për shqyrtim e riformulim me të gjitha grupet e interesit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA