
Përfaqësuesja e Lartë e Unionit, Catherine Ashton, dhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, bëjnë thirrje për pajtim në ditët përkujtimore të Masakrës së Srebrenicës.
Në komunikatën e përbashkët për shtyp, ata u bëjnë homazh viktimave dhe shprehin ngushëllimet ndaj familjarëve fillimisht, duke kujtuar se krimet e tmerrshme që u bënë 15 vite më parë në Srebrenicë njollosën vlerat, parimet e të drejtat themelore që respekton Europa.
“Srebrenica është sot një përkujtim i heshtur për atë që nuk duhej të kishte ndodhur asnjëherë e që nuk duhet përsëritur më kurrë”, shprehen dy zyrtaret e lartë europianë.
Duke njohur se dhimbja e pikëllimi do t’i shoqëroje deri në ditën e fundit të jetës të mbijetuarit e masakrës, Ashton e Fule nënvizojnë se pajtimi është premtim që duhet mbajtur për të ardhmen e gjeneratave.
“Bashkëpunimi i plotë me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavinë mbetet nevojë thelbësore dhe urgjente. Rikthimi dhe integrimi social i të zhvendosurëve gjatë luftës është po ashtu pjesë e proçesit për rivendosjen e të drejtave individuale dhe ndërtimin e të ardhmes së përbashkët duke sfiduar krimet e luftës”, shprehet Përfaqësuesja e Lartë e Komisioneri për Zgjerimin.
Në 6 dekadat e fundit, sipas tyre, eksperienca europiane ka dëshmuar se një perspektivë e përbashket mund të shërojë shumë plagë dhe të krijojë kushtet për prosperitet e të ardhme më të mirë.
“Kjo është ajo që do BE për të mbijetuarit e Srebrenicës, dhe për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Drejtësia për viktimat të ndiqet nga gjykatat dhe të ketë një të ardhme më të mirë europiane për të gjithë, duke siguruar paqe e stabilitet dhe shtetin ligjor”, përfundojnë mesazhin e përbashket Përfaqësuesja e Lartë Ashton dhe Komisioneri Fule.
Top Channel