15 vjet më parë ndodhte masakra më e madhe e historisë së Europës pas Luftës së Dytë Botërore. Mbi 8000 mije vetë, të gjithë muslimanë të Bosnjës vriteshin në mënyrë masive në Srebrenicë, në atë që më pas u konsiderua genocid dhe për të cilën akuzohen liderët ushtarakë dhe politikë të serbëve të Bosnjës.(UPDATE)

Viktimat e masakrës ende nuk janë identifikuar të gjitha, Dhjetra arkivole në një sallë të madhe janë vendosur duke pritur identifikimin e viktimave dhe kryerjen e varrimit.

Më 11 korrik të 1995 qyteza e Srebrenicës u la prej vëzhguesëve të OKB-së në duart e ushtarëve serbë.

Dhjetra familje dhe të afërm të viktimave presin akoma identifikimin e kufomave për të përcjellë më pas për në banesën e fundit njerëzit e tyre më të dashur.

“Pas 15 vjetësh e kam gjetur burrin dhe po e varros. Është e vështirë sepse do të kem të tjera varrime. Kam edhe djemtë që e di se janë gjetur, por nuk mund t’i varros. Faleminderit zotit që të paktën eshtrat e tyre do të prehen në paqe dhe ne do të kemi me kë të flasim”, deklaron mes dhimbjes Nura Mustafiç, e cila gjatë masakrës ka humbur bashkëshortin dhe dy djem.

Srebrenica u mor prej trupave serbe të udhëhequra nga gjenerali, Ratko Mlladiç dhe brenda pak ditësh rreth 8300 meshkuj muslimanë u ekzekutuan mizorisht.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka cilësuar “Srebrenicën” si masakrën më të madhë që pas Luftës II Botërore dhe si genocid ndaj popullsisë civile. Serbia ka shprehur keqardhje për masakrën por pa përmendur fjalën genocid.

Delegacione dhe diplomatë të lartë të huaj, mes të cilëve edhe presidenti serb, Boris Tadiç ndodhen në Srebrenicë për të përkujtuar masakrën. Në ceremoninë përkujtimore merr pjesë edhe zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta.

Top Channel