Si jetojnë këshilltarët e Berishës

09/07/2010 08:55

Këshilltarët e Kryeministrit Berisha duket se i sigurojnë kryesisht të ardhurat e tyre nga paga në Këshillin e Ministrave dhe nga pjesëmarrja e tyre në borde të ndryshme shtetërore.

Por në listën e tyre, dorëzuar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit, nuk mungojnë edhe ata këshilltarë, që si pasojë e pronave private, arrijnë të përfitojnë të ardhura të kënaqshme përgjatë një viti.

I tillë është rasti i ish-deputetit, këshilltarit të Kryeministrit Berisha, Neritan Cekës. Në deklaratën e tij të pasurisë, Ceka thekson se përveç të ardhurave që përfiton nga paga e tij në Kryeministri, familjes së tij i kalojnë të ardhurat edhe për katër apartamente të lëna me qira në kryeqytet.

Nga ana tjetër, Neritan Ceka deklaron se ka fituar brenda vitit të kaluar të ardhura edhe nga botimi i librave që lidhen me profesionin e tij, historinë.

Të ardhura të kënaqshme brenda një viti duket se fiton edhe këshilltari i Kryeministrit Berisha për Ekonominë, Petraq Milo.

Ai deklaron, përveç të ardhurave si këshilltarë dhe pjesëmarrës në borde, edhe të ardhura nga bonot e thesarit dhe konsulencat.

Kështu Milo thekson se për 2009-n ai ka përfituar 14.977 euro nga konsulenca ndërkombëtare, dhe 111.223 lekë nga interesat në bono thesari.

Po kështu, brenda një viti këshilltari për ekonominë i Kryeministrit deklaron se përfiton 5.870 euro nga interesat e tij bankare.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, deklaron se ai ka përfituar në 2009-n vetëm nga paga e tij dhe e bashkëshortes.

Por këshilltari aktual i Kryeministrit, Xhuveli, thekson në deklaratën e tij të pasurisë se gjatë vitit të shkuar ka arritur të paguajë 46.822 euro për shlyerjen e një pjese të mbetur të kredisë për blerje shtëpie në “Tirana Bank”.

Për këtë veprim financiar, Xhuveli thekson se burimi i të ardhurave është pakësimi i depozitave bankare, pagat dhe marrja hua e një pjese të shumës.

Nga ana tjetër, këshilltarja e Kryeministrit për ekonominë, Suzana Guxholli, dhe këshilltari Njazi Kosovrasti, i kanë të bazuara të ardhurat e tyre, përveç pagës, edhe te pjesëmarrja në borde dhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA