Rifutet krejt papritur në axhendën e Parlamentit shqiptar projektligji i shumëdiskutuar për Shërbimin Informativ Shtetëror.
Konferenca e Kryetarëve ka caktuar për ditën e fundit të punës së Kuvendit për këtë sesion, përkatësisht më 22 korrik, që të diskutojnë projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998 për ‘Shërbimin Informativ të Shtetit’ të ndryshuar”.
Drafti ka dalë nga zyra juridike e Kuvendit, pasi është futur në “ngrirje” që në marsin e vitit të kaluar, kur miratimi i tij paraprak nga qeveria dhe mazhoranca ka shkaktuar një furtunë të vërtetë diplomatike, duke hasur në kundërshtimin e SHBA-së, BE-së, por edhe selisë qendrore të NATO-s në Bruksel.
Madje drafti është tërhequr nga diskutimi pas një telefonate të zhvilluar ndërmjet Kryeministrit Sali Berisha dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s.
Gjithçka ka ndodhur në mënyrë të shpejtë, edhe pse është anonçuar në seancën e djeshme nga kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi.
Top Channel