
Kreu i opozites Edi Rama deklaroi sot se rezoluta e Parlamentit Europian, kur flet per hetim te materialeve zgjedhore, parashikon edhe hetimin edhe të fletëve të votimit, duke nënkuptuar rinumërimin e tyre.
Një paralajmërim ky që tregon, se përtej uljes së toneve mes dy paleve, paqja politike duket ende larg.
Kryetari i Partisë Socialiste deklaroi se opozita nuk tërhiqet nga beteja për hetimin e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe nëse këmbana e alarmit dhënë nga Parlamenti Evropian nuk do të dëgjohet atëherë protesta do të ketë një fazë dhe përshkallëzim të ri.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, një ditë pas votimit të rezolutës së PE-së, Rama e përshëndeti këtë hap, ndërsa theksoi se organizmi ndërkombëtar kërkon që kriza politike në Shqipëri të zgjidhet.
“Eshtë koha për të ngritur komision hetimor me shumicë të opozitës për të hetuar materialin zgjedhor. Parlamenti Evropian kërkoi me rezolutë sigurimin e një reforme që të sigurojë transparencën”, u shpreh Rama.
Kreu socialist ripërsëriti apelin e tij për qeverinë dhe kryeministrin që të mos zvarrisë cështjen e transparencës për ta tkurrur objektin e hetimit të zgjedhjeve, pasi opozita nuk tërhiqet nga kauza e saj.
“Eshtë e kotë që kjo propagandë e shthurur anti-opozitare, kundër zgjidhjes së arsyeshme për t’i dhënë fund krizës të shtrihet deri në insinuatën që opozita do të bojkotojë zgjedhjet e ardhshme. Ne jemi të vendosur deri në fund që në Shqipëri të fitojë demokracia, liritë dhe të drejtat duke nisur nga ajo e votimit, të garantohen njësoj për të gjithë”, u shpreh Rama.
Top Channel