Britani, trafiku i drogës, dënohen shqiptarët

09/07/2010 16:20

Gjashtë shtetas shqiptarë dhe tre britanik janë dënuar nga gjykata “Kingston Crown Court” me 64  vite burg në total për posedim, shitje të lëndëve narkotike, konspiracion në shpërndarjen e lëndëve narkotike, përfshi pastrimin e 10 milion paund.

Shqiptarët që  morën dënime nga tre deri në 10 vjet burg janë Elton Dika,  Xhovan Gripshi,  Fabiol Beqiri, Besnik Alla dhe Emiljan Shega.

Ndërsa britanikët Abu  Raja, Jaspreet  Gill, Kanwaldeep Deol janë dënuar me nga 6 vite burg secili.

Të tetë të dënuarit e sipërpërmendur i kanë pranuar të gjitha akuzat që në fillim të procesit gjyqësor.

 
Behar Dika i cili është dënuar më 18 vite burg, nuk i ka pranuar akuzat pasi sipas avokatëve mbrojtës ai ishte i pafajshëm dhe se një shqiptarë me inicialet S.Q që bashkëpunonte me policinë e kishte përfshirë atë në këtë grup kriminal.

Pretendimet e palës mbrojtëse të zotit Dika janë hedhur poshtë nga oficerët e Scorland Yard kur ata dhanë dëshmitë e tyre përpara gjykatës ku deklaruan se nuk kanë patur ndonjë informator shqiptarë gjatë hetimit.

Oficerët e skuadrës së antidrogës në Scotland Yard për 10 muaj mbajtën nën survejim të nëntë të arrestuarit duke siguruar prova për implikimin e tyre të tregtinë e lëndëve narkotike.

Më 31 Mars 2009 policia sekuestroi 8 kg kokaine dhe 100 mijë stërlina kash, në një prej tre shtëpive të marra me qera  ku fshihej lënda narkotike.

Brenda kësaj shtëpije  në zonën Priory Gardens shumë afër stadiumit  Wembley do të arrestoheshin Gripshi, Beqiri, Alla dhe Shega.

Roli tre britanikëve krahas shitjes së drogës ishte pastrimi parave nëpërmjet disa bizneseve të rreme dhe  tre agjencive të këmbimit valutor hapur nga ata, prej të cilave policia thotë se janë pastruar 10 milion stërlina.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA