Janë pritur në mënyra të ndryshme emrat e kandidatëve që do të garojnë të dielën për degët e rretheve të Partisë Socialiste.
I promovuar si një proces me rivalitet të fortë, çka u dëshmua edhe nga numri i lartë i propozimeve nga baza e PS-së, zgjedhjet e brendshme në këtë parti do të përqendrohen rreth emrave që u miratuan nga mbledhja e para dy ditëve e Kryesisë.
Edhe pse zëra kundër integritetit të procesit përzgjedhës nuk kanë munguar edhe nga ekipi drejtues i partisë, në tërësi strukturat e PS-së në bazë ose kanë shprehur miratimin e tyre për listën përfundimtare, ose kanë preferuar heshtjen deri në përcjelljen zyrtare të saj.
“Të 3 emrat e përzgjedhur nga Kryesia janë mirëpritur. Nuk ka pasur asnjë kontestim apo paragjykim për ta”, është shprehur dje për “Shqip” kreu i degës së PS-së në Lushnjë, Astrit Xheka.
Të njëjtin qëndrim ka përcjellë edhe kolegu i tij në Ballsh, Ilir Çela, i cili ka nënvizuar se emrat e miratuar janë ata që priteshin.
“Publikimi i listës dhe i emrave të kandidatëve për drejtimin e PS-së në Ballsh është përcjellë normalisht. Këta emra priteshin dhe publikimi i tyre nuk ka shkaktuar pothuajse asnjë reaksion”, ka thënë ai.
E njëjta klimë ka përshkruar edhe situatën në Elbasan, ku do të garohet mes ish-deputetit Ndriçim Hysa dhe dy kandidatëve të tjerë, Arben Kamami dhe Astrit Halili.
Jashtë tensionimit duket se po preferon të qëndrojnë strukturat e bazës së PS-së në qytete të ndryshme, si Fier dhe Shkodër, drejtuesit respektivë të të cilëve, Arjon Muça dhe Edip Shiroka, kanë deklaruar për gazetën “Shqip” se reagimi zyrtar nëse do të ketë, do të vijë pas njohjes në rrugë zyrtare me emrat e kandidatëve që do të hyjnë në garën e së dielës.
Top Channel