Oktapodi Paul merret në mbrojtje nga ekzekutivi spanjoll

08/07/2010 15:20

Gjermania ra “viktimë” e parashikimit të ortapodit të saj Paul? Shifrat flasin qartë, ai ka gjetur 100 % të ndeshjeve të kombëtares së Loew në këtë botëror, madje shumë herë ka arritur të parashikojë edhe përfundimin e ndeshjeve shumë të vështira si ajo me Argjentinën dhe Spanjën.

Në 6 parashikimet që ka bërë, 4 herë Paul ka zgjedhur kutinë në të djathtë të tij, Gjermani-Serbi 0-1, Ganë-Gjermani 0-1, Argjentinë-Gjermani 0-4 dhe Gjermani-Spanjë 0-1. Në ndeshjen për vendin e tretë, Gjermania do luajë si skuadër mike kundër Uruguajit dhe ka shumë mundësi që “orakulli” Paul të zgjedhë sërish djathtas, cka do të thotë më shumë besim për kombëtaren gjermane.

Paul nuk është thjesht një kafshë deti, sepse tashmë ai është nën mbrojtjen speciale të kryeministrit të Spanjës, Jose Luis Zapatero. “Jam i shqetësuar për oktapodin dhe mendoj të dërgoj një skuadër për ta mbrojtur pasi ka qënë vërtet spektakolar në këtë botëror”, thekson kreu i ekzekutivit të Madridit. Zapatero është siguruar nga ministrja e Peshkimit, Elena Espinosa, e cila e ka siguruar se KE do hartojë një rezolutë që ndalon gatimin e Paul nga gjermanët.

Shqetësimet për fatin e oktapodit nga ekzekutivi spanjoll nisën që dje kur ministri i Industrisë, Miguel Sebastian tha se shpresonte që të dilte parashikimi i tij por shtoi se nëse Paul do të ishte në rrezik, ishte gati ta transferonte në Spanjë. Deri në fund të botërorit, Paul do vazhdojë të bëjë parashikimet dhe kjo do të thotë se të paktën deri të dielën në darkë ai do ta ketë vendin në akuariumin e tij dhe jo në ndonjë pjatë të shtrenjtë restoranti.

Top Channel