Lorik Cana transferohet tek Gallatasaraj

08/07/2010 17:10

Lojtari i kombëtares kuqezi, Lorik Cana është transferuar papritur nga ekipin anglez i Sunderland për në Turqi ku ka nënshkruar një kontratë 4 vjecare me klubin e Gallatasaraj. (UPDATE)

Mesfushori nga Kosova që u largua vjet nga Marseja me destinacion Sandërlendin, ndryshon sërish skuadër, duke u bashkuar me verdhekuqtë e Stambollit të cilët drejtohen nga tekniku holandez, Frenk Rajkard.

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Sandërlendit, lojtari shqiptar shprehet se nuk ishte një vendim i lehtë. Ai thekson se prioriteti i tij është të luajë në Champions League dhe të ndodhet sa më pranë familjes së tij në Shqipëri.

“Që ditën e parë që erdha unë pata një eksperiencë fantastike me Sunderland. E dija se do të luaja me një klub që e mbeshteste lojën time”, thekson Cana. Më tej ai shton se ka dhënë gjithcka për Sandërlend, klub që do ngelet ne memorien e tij.

“Kam mundësinë të luaj në evenimentet europian dhe të jem më pranë familjes time. Nuk ishte një vendim i lehtë dhe shpresoj që njerëzit të më kuptojnë. I falënderoj të gjithë tek Sandërlend, duke filluar që nga trajneri, stafi, mjekët, drejtuesit dhe sigurisht fansat. I uroj klubit të ecë sa më lart”, shton ish mesfushori i PSG dhe Marsejës.

Cana u aktivizua në 35 ndeshje me Sandërlend dhe u ble për 5 milionë sterlina vitin e shkuar.

Top Channel