Spanjë-Gjermani, pa frikë në fushë…

07/07/2010 08:10

Erdhi momenti që Gjermania të marrë hak për finalen e humbur të Euro 2008, ndërsa Spanja të takohet me historinë.

Iberikët e cilësuar si skuadra më e suksesshme dhe e kuotuar e viteve të fundit kërkojnë të fitojnë edhe botërorin për të mbyllur një cikël të gjatë suksesesh, ndërsa Gjermania nga ana tjetër mendon t’u japë një stimul dhe shpërblim lojtarëve të saj të talentuar.

Villa, Xavi, Iniesta, Puyol e Torres janë ikonat e kësaj Spanje që me lojën e saj të saktë gjeometrike fut në telashe cdo lloj kundërshtari që ka përpara. Nga ana tjetër, Loew nuk ka më pak talente në skuadër pasi Ozil, Khedira, Schweinsteiger, Podolski, Lahm e Mueller janë armët e tij më të forta. Në tre ndeshjet e zhvilluara mes këtyre dy skuadrave në botëror, Gjermania nuk ka humbur asnjëherë pasi ka arritur dy fitore dhe një barazim.

“Kjo Gjermani ka shumë lojtarë të Bayern si ajo e viteve ’70. Në mesfushë ka Khedira dhe Schweinsteiger, celësi i lojës dhe Lahm, Ozil, Klose që janë të jashtëzakonshëm. Krahasuar me skuadrën e dy viteve më parë kanë ndryshuar shumë”, shprehet Del Bosque. Më tej ai shton se Spanja tashmë është ambientuar me botërorin dhe nuk ka pse të ketë frikë. “Lojtarët kanë një meritë të madhe që arritëm mes 4 më të mirave por kjo nuk duhet të na frenojë. Këta lojtarë janë talente të vërtetë”, thekson tekniku iberik.

Ndërkohë, Iker Casillas e pranon se kjo gjysmëfinale është më e rëndësishme se finalja e Euro 2008. I karikuar në maksimum është edhe David Villa: “Dua të shënoj për të ndihmuar skuadrën pasi është absurde të ndalemi tani”.

Para telekamerave nuk bën hap pas as Joachim Loew. “Nuk do ndryshojmë lojë dhe nuk do shikoni një Gjermani që mbrohet. Ata kanë zotërimin e topit por ne do përpiqemi t’i vemë në vështirësi. Nëse nuk sulmojmë s’do kemi asnjë mundësi për t’i mundur. Ndaj Anglisë dhe Argjentinës treguam se edhe pse jemi në avantazh, vazhdojmë të kërkojmë golin. Spanja është skuadra më mirë e organizuar gjatë viteve të fundit  dhe kanë një sulm shumë të fortë, luajnë prej kohësh bashkë dhe e njohin njëri-tjetrin shumë mirë. Ne jemi rritur shumë dhe jemi gati për t’u përballur me kombëtaren më të mirë të viteve të fundit. Tani jemi në gjendje t’i dominojmë ndeshjet”, thekson tekniku i nënkampionëve të Europës.

Top Channel