Deputeti serb Petar Miletic, i cili mbeti i plagosur dje në veri të Mitrovicës, ka refuzuar të merret në pyetje nga prokurorët.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, sipas të cilit shkak për këtë refuzim është bërë gjëndja shëndetësore e deputetit.

“Për ngjarjen ka ende pak konfuzion. Miletic është sulmuar duke dalë nga shtëpia. Hetuesit kanë tentuar të depërtojnë, por për shkak të gjëndjes së tij s’e kanë marrë dot në pyetje”, ka deklaruar Rexhepi.

Ministri ka theksuar se Policia e Kosovës ka disa të dyshuar për ngjarjen, por ka nënvizuar se hipotezat nuk janë konfirmuar ende.

“Kemi informacione se kush mund të ketë qenë, por jo zyrtare. Ka të dhëna se ka qenë një 16 vjecar, ndërsa disa të tjera thonë se autori është 30 vjec”, ka saktësuar Rexhepi.

Ministri ka saktësuar më tej se pas ngjarjeve të ndodhura së fundmi në veri të Mitrovicës qeveria kosovare dhe misionet ndërkombëtare kanë vendosur rritjen e masave të sigurisë në këtë zonë.

“Është ngritur niveli i sigurisë nga Policia e Kosovës, KFOR dhe EULEX. Do kërkojmë që ato të jenë më shumë të pranishme dhe të veprojnë sa më shpejt, në mënyrë që kriminelët të dalin para drejtësisë”, ka shtuar Rexhepi.

Top Channel