Schweinsteiger: Argjentinasit provokojnë

02/07/2010 10:10

Rritet tensioni një ditë para ndeshjes më të fortë të cerekfinaleve të botërorit mes Argjentinës dhe Gjermanisë, një përballje e përsëritur edhe në vitin 2006 ku fituese doli skuadra europiane edhe që më pas u eleminua nga Italia.

Bastian Schweinsteiger i sulmon kundërshtarët pa shumë diplomaci. “Nuk i duroj dot provokimet e argjentinasve, mëyrën e të luajturit dhe mënyrën si duan të influencojnë arbitrat. U mungon respekti. Tifozët e tyre ulen ku të duan pa respektuar sediljen e caktuar. Ky është mentaliteti i tyre por arbitri duhet të jetë i qetë dhe të mos ndikohet”, thekson mesfushori gjerman.

Por Maradona ka reaguar menjëherë, duke iu drejtuar lojtarit kundërshtar në një intervistë dhënë për “Fox Sport”. “Cfarë ke Schweinsteiger? Je nervoz? Nuk kemi kohë të mendojmë për të dhe nuk më intereson ajo që thotë. Djemtë mendojnë vetëm të marrin hak për eleminimin e vitit 2006. Ne do sulmojmë dhe do luajmë në gjysmëfushën e tyre. Ne kemi më shumë mundësi se ata. Kjo ndeshje nuk më shqetëson aspak”, deklaron tekniku bardhekaltër.

Në lidhje me akuzat e Schweinsteiger ka folur edhe shoku i tij i skuadrës tek Bayern Munchen, Martin Demichelis. “Ajo që ka thënë pak rëndësi ka pasi gjithcka do shihet në fushë. I mundëm në miqësoren e 3 marsit ku ishte skuadra që mundi Anglinë 4-1 prandaj duhet të kenë më shumë respekt. Kritikat e Schweinsteiger vijnë për shkak të nervozizmit të tij por ne do ngelemi shokë pas ndeshjes”, nenvizoi Demichelis.

Top Channel