Holandë-Uruguaji, gjysmëfinalja e parë

02/07/2010 23:15

120 minuta në ndeshjen çerekfinaliste mes Uruguajit dhe Ganës nuk mjaftuan për të përcaktuar kundërshtaren e Holandës në gjysmëfinale. 90 minutat dhe koha shtëse u mbyllën me të njëjtin rezultat, 1-1.

Pjesa e parë nisi më mirë për Uruguajin i cili iu afrua disa herë golit të avantazhit por pa e gjetur atë. Pikërisht në momentin që pritej drejtimi për në dhomat e zhveshjes me rezultatin e bardhë 0-0, një gjuajtje e Muntarit mposht portierin Muslera. 45 minutat e para mbyllen 1-0 për afrikanët.

Pjesa e dytë nisi me Ganën në kërkim të golit të dytë. Skuadra afrikane iu afrua disa herë rrjetës, por pasaktësitë para portës dhe vonesat në pasimin e fundit i mohuan golin e dytë skuadrës së Rajevac. Fati i takimit do të varej nga një goditje dënimi e ekzekutuar prej Forlan. Uruguajani, megjithëse në një distancë të largët nga porta ka tentuar kuadratin dhe falë pasigurisë së portierit Kingson barazpeshon rezultatin në 1-1.

Minutat në vazhdim nuk sollën ndryshim rezultati dhe pas përfundimit të kohës së rregullt skuadrat iu drejtuan minutave shtesë, ku të dyja ekipet nisën të mendojnë më shumë për sulmin për të evituar llotarinë e 11 metërshave.

Në sekondat e fundit të 30 minutave shtesë, një kros nga e djathta gjen të lirë sulmuesit ganezë brenda zonës uruguajane. Goditja me kokë e njërit prej tyre zbrapset me dorë prej Sauarezit, i cili megjithëse u ndëshkua me kartonin e kuq dhe skuadra e tij me 11 metërsh, evitoi golin e eleminimit prej botërorit, kjo falë edhe gabimit të Asamoah Gijan, që në ekzekutimin e 11 metërshit godet traversën e portierit Muslera.

Menjëherë pas këtij episodi, fati i gjysmëfinalistes së dytë do të përcaktohej nga pika e bardhë e 11 metërshit ku uruguajanët u treguan më të saktë duke mposhtur 4-2 me penallti dhe 5-3 me rezultat të përgjithshëm ganezët.

Kjo fitore i mundëson gjysmëfinalen e parë pas 40 vjetësh Uruguajit ku e pret Holanda që mundi Brazilin 2-1. 

Top Channel