Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, zonja Fiona McIlwham, deklaroi se e vetmja zgjidhje për vendin që të kapë momentin për t’u integruar në BE është të zgjidhë krizën politike sa më shpejt dhe të plotësojë kushtet dhe kriteret e Bashkimit Europian.
Në një intervistë ekskluzive për “Shqip”, e dërguara e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabet, duke iu referuar krizës politike në vend, jep mjaft qartë qëndrimin e Londrës zyrtare.
“Siç e bëri të qartë ministri ynë për Europën, z. David Lidington, javën e kaluar, si dhe udhëheqës të tjerë të BE-së para tij, është e rëndësishme që kriza politike në Shqipëri të zgjidhet shpejt. Ne jemi të bindur se, në qoftë se ka vullnet politik, mund të gjendet një zgjidhje”, deklaroi ambasadorja McIlwham.
Ndërkaq në intervistë, kryediplomatja e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri flet edhe për probleme të tjera që e shqetësojnë vendin, siç janë pavarësia e gjyqësorit dhe korrupsioni.
Duke iu referuar faktit më të fundit kur po bëhen emërimet për në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, ambasadorja Fiona McIlwham, thekson se duhet që të shmanget vendosja e njerëzve të politizuar që kanë lidhje me partitë politike.
Top Channel