Regjistrimi i popullsisë dhe i banesave që do të nisë në Shqipëri në prill të vitit 2011, është një proces që zhvillohet në plan global.
Ai mban në konsideratë metodologjinë e hartuar sipas standardeve ndërkombëtare, të cilat janë adoptuar edhe nga Instituti i Statistikave.
I përcjellë me shqetësim nga opinioni, duket se procesi në fjalë pritet të sjellë një bazë të tillë të dhënash për popullsinë që banon në Shqipëri, e cila tejkalon shumë ankthin e krijuar nga pyetësori në pikat e vetëdeklarimit të etnisë dhe të besimit fetar.
“Regjistrimi është një proces që do të zhvillohet në mbarë botën vitin që vjen. Duhet të them se është një proces shumë i rëndësishëm, me një diapazon shumë të gjerë. Unë e kuptoj se interesi dhe shqetësimi i shprehur lidhet kryesisht me pyetjet për etnicitetin dhe besimin fetar, por në këtë pikë duhet të sqaroj metodën që ndiqet. Pikë së pari, asnjë e dhënë personale nuk do të bëhet publike, pra deklarimet e personave që regjistrohen, nuk bëhen publike. Si i tillë, procesi është për efekt statistikor dhe ka vlerë për vlerësimin e prirjeve të popullsisë në shumë drejtime. Nga ana tjetër, në regjistrim do të përfshihen vetëm ata persona që kanë qenë prezentë në Shqipëri 12 muajt e fundit dhe kjo gjë verifikohet nga logjika e pyetjeve që ndërtohen. Dhe së treti, pyetësori parashikon edhe mospërgjigjen”, deklaroi drejtoresha e Institutit të Statistikave, Ines Nurja.
Top Channel