Pele kundër Maradonës

30/06/2010 19:05

“Nuk kam asnjë problem me Maradonën. Vetëm se mendoj se nuk është një trajner i mirë. Ka një stil jete të bezdisshme dhe kjo rrallë është pozitive për një skuadër”.

Pele nuk ka asnjë problem me Diego Armando Maradonën, por nuk eviton dot kritikat ndaj tij.

Intervista për të përditshmen gjermane “Tagesspiegel” i ofron mbretit rastin për të folur sërish për trajnerin e Argjentinës duke theksuar se ekipi nuk mund të synojë majën.

“Jo Argjentina jo. Megjithatë aty luajnë futbollistë të nivelit botëror që pothuajse vetëmenaxhohen. Në sulm është Messi, krijon shumë lëvizje dhe futbollistët e tjerë gjejnë shumë hapësirë”, vazhdon ai.

Për të gjetur një skuadër që mund të përballojë Brazilin duhet kërkuar diku tjetër.

“Spanjollët mund të mundin Brazilin. Ndoshta edhe Gjermania. Kombëtarja gjermane është më e reja në turne, ndoshta u mungon pak eksperienca për të fituar titullin, por ka një lojë të bukur sulmuese me lojtarë si Ozil e Mueller”, është shprehur Pele.

Brazili i Carlos Dunga duket në pole position për titullin, por skuadra braziliane nuk i pëlqen dhe aq. Sipas tij, ajo varet shumë nga individualiteti.

“Pavarësisht suksesit 3-0 ndaj Kilit, Brazili nuk më ka bindur asnjëherë plotësisht. Çfarë futbolli është ky kur kërkohet të kontrollohet loja me një futbollist?”, pyet Pele.

Top Channel