Kush është Mehdi Bici

30/06/2010 19:55

Njohuritë e para në drejtësi Mehdi Bici i ka marrë në të ashtuquajturin kurs 6 mujor në fillim të viteve ‘90.

Por më pas ka vijuar studimet për drejtësi me korrespondencë dhe është diplomuar në vitin 94. Eshtë po ashtu titullar i një Masteri të marrë në vitin 2009.

Nga viti 94 deri në vitin 2004 zoti Bici ka punuar si gjyqtar në gjykatën e Tiranës. Në vijim, në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Për shkak të ngarkesës së punës në gjykatat e apeleve, kryesisht atë të Tiranës, me vendim të KLD-së zoti Bici ka shqyrtuar edhe cështje penale dhe civile për llogari të këtyre gjykatave.

Sic rezulton edhe nga dosja që është dorëzuar në Kuvend, gjatë punës së tij si gjyqtar zoti Bici ka nënshkruar 3 dënime me vdekje, në kohën kur dënimi me vdekje ishte në fuqi dhe shumë burgime të përjetshme.

Në një vlerësim të zv/kryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu drejtuar komisionit të ligjeve, gjyqtari Bici vlerësohet pozitivisht.

Në përgjigjet e tij për pyetjet me shkrim të deputetëve, bien në sy përgjigjet për sistemin gjyqësor dhe për Konferencën Gjyqësore.

Zoti Bici mendon se sistemi gjyqësor në Shqipëri vuan nga korrupsioni dhe promovimet e pamerituara, ndërkohë që për kandidaturën e tij në Gjykatën e Lartë përjashton në mënyrë kategorike lobimin nga ndonjë forcë politike.

Zoti Bici vlerëson se nevojitet një ligj i ri për Konferencën Gjyqësore, pasi ligji mbi të cilin ajo kishte funksionuar në të shkuarën dhe që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetues, e kishte shndërruar Konferencën Gjyqësore në një institucion kryetarësh dhe jo gjyqtarësh.

Gjyqtarit Bici i është kthyer vetëm një cështje nga gjykatat e nivelit më të lartë dhe në vitin 2007 ai është shpallur gjyqtari i vitit.

Top Channel