Spanjë-Portugali, sfida më tërheqëse e 1/8-ave

29/06/2010 12:25

Spanjë-Portugali, së bashku me Gjermani-Angli ishin sfidat më tërheqëse të 1/8, një derbi i vërtetë në bazë të qarkullimit të topit, futbollit të luajtur dhe lojës së bukur.

Në Durban do të përballen skuadra e dytë dhe e tretë në renditjen botërore ose dy pretendetet më të kuotuara për suksesin final. “La Roja” e “A Seleccao das Quinas” do të përballen për herë të parë në nivelin botëror, ndërsa në total do të jetë sfida nr. 33: e kaluara flet për 15 suksese të iberikëve kundër 5 të luzitanëve, por në fazat finale portugezët janë në avantazh. 1-1 në Europianin e 1984, 1-0 në atë të 2004.

Del Boske: Më e keqja ka kaluar – “Kemi vuajtur mjaftueshëm në grup kundër Zvicrës (0-1), thotë trajneri Visente Del Boske, kanë qenë ditë të vështira, të cilat na kanë përforcuar shumë”. Por edhe që i kanë vënë në një provë të vështirë: Ksavi Aloso është ende në dyshim  për një goditje të marrë në ndeshjen e fundit ndaj Kilit; kavilja jep probleme për atë. Spanja pret shumë edhe nga Fernando Torres, ende në kërkim të golit të parë në këtë edicion të Botërorit. “Nuk ka mundur të shprehë ende më të mirën, sepse, të kujtojmë, vjen nga një dëmtim: nëse gjen hapësirat e nevojshme, mund t’u shënojë të gjitha mbrojtjeve”.

Konfidenca e Matas – Luftanija luzitane komandohet nga Kristiano Ronaldo. Por nuk është vetëm talenti i Realit të Madridit ai që shqetëson “Furie Rosse”, siç shpjegon mesfushori i Valencias Huan Mata: “përveç Kristiano Ronaldos, që është një nga lojtarët më të mirë në botë, Portugalia është skuadër kompakte dhe e fortë. Në mbrojtje janë të fortë, kanë krahë të rrezikshëm dhe një mesfushë me kualitete të larta. Përveç Kristiano Ronaldos, kanë Tiagon e Raul Meireles që shënojnë shumë. Ronaldo mund të jetë ylli, por nuk është i vetëm, janë shumë lojtarë të  tjerë me talent”. Ka një entuziazëm në grupin e drejtuar nga Del Boske. “Nuk dëshirojmë të shkojmë shumë lart, por të mendojmë turnin e radhës. Na pret një ndeshje e rëndësishme kundër Portugalisë. Kemi mësuar shumë nga faza në grupe. Të gjithë ishin të bindur që do të ishim mes tetë skuadrave të para, jemi kualifikuar për në 1/8-at, por nuk ka qenë e thjeshtë. Për këtë arsye, do të duhet të përqendrohemi në ndeshjen e radhës dhe të mos mendojmë asgjë tjetër”.

Kueiroz, fjalë të ashpra
– “Është momenti që të demonstrojmë, që jam fitues, thotë Karlos Kueiroz, trajneri i Portugalisë, humbësve nuk u mbetet asgjë. Jemi të motivuar dhe të gatshëm për të dhënë gjithçka në fushë”.

Simao: Jemi 50-50 –
Nga ana tjetër, portugezët, të vetëdijshëm për rrezikshmërinë e kundërshtarit, nuk kanë ndërmend të dorëzohet dhe synojnë të luajnë si të barabartë. Simao Sabrosa është i qartë: “E njohin lojën e Spanjës, kanë të njëjtin stil të Barcelonës, shumë lojtarë spanjollë militojnë te ky klub. Janë të fortë, luajnë gjithnjë shpejt, qarkullojnë topin dhe arrijnë me pak pasime te porta. Mendoj se do të jetë një ndeshje e madhe dhe besoj se mundësitë tona për të fituar janë 50 me 50”.

Gafa e Aragones –
në prag të përballjes mes kushërinjve iberikë, ish-trajneri i Spanjës kampione të Europës nuk është shumë optimist, dhe i frikësohet një goditjeje të Portugalisë, shkruante dje “Marça”. “Spanja nuk ka treguar deri tani një nivel të mirë, i ka munduar shpejtësia e qarkullimit të topit, ka rrëfyer para ndeshjes kundër Portugalisë, që ka “skuadër të madhe”. Sipas Aragonesit, Portugalia “është gati perfekte në mbrojtje, ndoshta në sulm i mungon ende diçka”. Por është “një skuadër që duhet vlerësuar goxha në këtë botëror”.

Top Channel