
Një gol i David Vijës në minutën e 63 të takimit ka përcaktuar fatin e derbit iberik mes Spanjës dhe Portugalisë.
Ndeshja nisi e ekuilibruar, me të dyja skuadrat më shumë të kujdesshme në mbrojtje. Të parët që marrin iniciativën janë spanjollët e Del Boskes, të cilët u shfaqën disa të rrezikshëm para portës së Eduardos. Ky i fundit në dy raste i mohoi golin sulmuesit Fernando Torres. Me kalimin e minutave portugezët fitojnë terren në fushë duke tentuar disa herë nga distanca. Në një rast të tillë Kasijas bën mrekullinë teksa devijon gjuajtjen e Tiagos. Pjesa e parë mbyllet 0-0.
E njëjta panoramë shihet edhe në minutat e para të pjesë së dytë, Spanja më kërkuese për golin ndërsa Portugalia që tregohet e kujdesshme dhe kërkon golin me kundërsulm. Në minutën e 63 David Vija futet brenda zonës në krahun e majtë të saj dhe godet. Gjuajta e parë bllokohet prej portierit Eduardo, por topi rikthehet në këmbët e golashënuesit spanjoll i cili këtë herë nuk gabon, topi përfundon në rrjetën e skuadrës portugeze.
Goli i avantazhit qetësoi Spanjën e cila më pas ka menduar për administrimin e rezultatit duke qarkulluar topin. Sikur të mos mjaftonte disavantazhi, Portugalia goditet sërish teksa në minutën e 90-të Rikardo Kosta ndëshkohet me kartonin e kuq. Koha e mbetur nuk mjafton për Portugalinë e Ronaldos, i cili ishte totalisht në hije në këtë takim, për të barazuar rezultatin.
Kjo ishte ndeshja e fundit e fazës së 1/8 të Botërorit afrikan që plotëson panoramën e çifteve çerekfinaliste që janë Brazil-Holandë, Argjentinë-Gjermani, Uruguaj-Ganë dhe Spanjë-Portugali.
Botërori rikthehet më datë 2 korrik me dy ndeshjet e para, Brazil-Holandë në orën 16:00 dhe Uruguaj-Ganë në orën 20:30.
Top Channel