
Politikani i vjetër, Sabri Godo, kundërshton tentativën e demokratëve për ndryshimin e rregullores së Kuvendit.
“Unë them se votimi në Parlament, në kushtet tona, duhet të jetë i mbyllur. Ajo që pretendon mazhoranca, se kështu bëhet më tepër transparencë, se është në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kështu etj., etj., nuk qëndron. Është vetëm lëndë për propagandë”, thotë Godo.
Duke e argumentuar qëndrimin e tij, Godo thotë se gjyqësori mbetet një nga problemet më të mëdha të këtij vendi.
“Është e vërtetë që një kongresmen apo senator amerikan mund të votojë haptas, por është në kushte krejt të tjera. Elektorati atje e shikon në çdo rast se si voton përfaqësuesi i tij në mbrojtje të një ideje. Ndërsa këtu kemi të bëjmë me zgjedhje të individëve. Dhe në këtë rast janë shumë më të mëdha arsyet që të çojnë tek ajo që duhet bërë votim i mbyllur, për të mos krijuar pakënaqësi ose favorizime personale”, sqaron Godo.
Ai shton më tej se deputeti duhet të jetë i lirë të votojë pro ose kundër kandidatit që paraqitet dhe këtë, në kushtet tona, realisht në Shqipëri, mund ta bëjë vetëm përmes votimit të mbyllur.
Top Channel