ILDKP, sanksione dhe gjoba për 18 zyrtarë

28/06/2010 08:00

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive vendosi sanksione ndaj 18 zyrtarëve të administratës publike.

Fshehja e pasurisë dhe deklarimi i rremë janë arsyet pse ILDKP-ja ka penalizuar zyrtarët. Tatimet, doganat dhe pushteti vendor janë prekur nga vendimi i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Vendimi i ILDKP-së është marrë në kuadër të luftës kundër korrupsionit për ata zyrtarë që kanë shkelur ligjin “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive” dhe ligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave”.

Plot 14 zyrtarë janë gjobitur me vlerën 100 mijë deri në 200 mijë lekë të reja, kurse rasti i 15-të është në proces zgjidhjeje. Tre zyrtarë duhet të përballen me akuzat në organin e Prokurorisë dhe për një zyrtar çështja është në proces e sipër. Janë gjithsej 18 punonjës të lartë të administratës shtetërore, kryesisht në tatime, dogana dhe organet e pushtetit vendor ata që duhet të përballen me këtë çështje.

Zyra për shtyp e ILDKP bëri me dije se pjesa më e madhe e zyrtarëve, për të cilët është aplikuar masa shtrënguese janë punonjës të administratës doganore dhe tatimore. Ndër këta 2 zyrtarë të kallëzuar penalisht dhe 7 të gjobitur për konflikt interesi janë pjesë e organikës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe degëve të saj në rrethe. Ndërsa 1 zyrtar i kallëzuar penalisht dhe 4 të tjerë të gjobitur për konflikt interesi janë pjesë e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Katër zyrtarë të gjobitur të tjerë janë drejtues të pushtetit vendor; një kryetar bashkie dhe një kryetar komune në Jug të Shqipërisë, një kryetar komune në Qarkun e Tiranës dhe një kryetar komune në Qarkun e Shkodrës.

Zëdhënësi për shtyp në ILDKP, Albi Serani, bëri të ditur se “gjatë dy muajve të fundit, janë dorëzuar në organin e prokurorisë kallëzime penale ndaj 3 zyrtarëve, për të cilët është evidentuar fshehje e pasurisë dhe deklarim i rremë. ILDKP ka aplikuar gjithashtu edhe masën administrative me ”gjobë” për 15 zyrtarë, të cilët nuk kanë shmangur konfliktin e interesave në afatin e përcaktuar dhe sipas parashikimeve ligjore.

ILDKP bëri me dije se rastet u arritën të evidentohen në bazë të përmirësimit të teknikave të hetimit administrativ. Aplikimi i gjobës ndaj këtyre zyrtarëve është bërë në përputhje të nenit 44 të ligjit nr.9367, dt.7.4.2005 ”Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Zëdhënësi për shtyp i ILDKP-së tha se “Inspektorati i Lartë ka përmirësuar teknikat e hetimit administrativ, duke siguruar në këtë mënyrë rezultate më të mëdha në parandalimin e konfliktit të interesave dhe në luftën kundër korrupsionit”.

Top Channel