Fluksi i emigrantëve, masa në kufi

28/06/2010 08:25

Ardhja e emigrantëve për pushimet verore dhe fluksi i pritshëm në pikat e kalimit kufitar tokësor dhe detar ka vënë në lëvizje policinë kufitare.

Për të shmangur vonesa dhe radhët e gjata janë hartuar një sërë masash për shtimin e kapaciteteve njerëzore dhe të shërbimit.
Në pikën doganore më të madhe me Greqinë, atë të Kakavijës, policia kufitare ka nisur marrjen e masave shtesë, pasi sipas të gjitha parashikimeve, pritet një fluks më i madh në ardhjen e emigrantëve sesa viti i kaluar.

Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Eduart Caka, është hartuar një plan operacional për të përcaktuar masa shtesë në të gjitha pikat kufitare për lehtësimin e lëvizjes së emigrantëve në hyrje nga Greqia për në Shqipëri dhe anasjelltas. Sipas planit, sidomos në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, parashikohet shtimi i personelit dhe trefishimi i sporteleve.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Eduart Caka, ka shtuar se efektivat e policisë kufitare në Kakavijë, Drimadhë dhe Tri Urat, kanë nisur që tani zbatimin e planit të masave organizative për të përballur fluksin e emigrantëve. Ai ka shtuar se janë marrë masa dhe për menaxhimin e qarkullimit rrugor, si dhe për të rritur vëmendjen dhe kontrollin dhe për të mos lejuar kalimin në këto ditë të ngarkuara me lëvizje të personave në kërkim, të trafikantëve të qenieve njerëzore dhe të lëndëve narkotike.

Drejtues Caka ka premtuar cilësi të shërbimit konform parametrave bashkëkohorë dhe se një emigrant nuk do të qëndrojë më shumë se disa minuta gjatë kontrollit individual në kufi. Në pikën kufitare të Kapshticës ka nisur edhe gjatë ditëve të fundjavave, të mbahen në gatishmëri të gjitha sportelet.

Drejtori i kufirit, Ferdinand Gjeta, bëri të ditur se do të punohet me kapacitet të plotë deri në dhjetë sportele, të cilat janë bërë gati për të përballuar një fluks të madh ditor të hyrjeve dhe daljeve në kufi. Sipas të dhënave statistikore që disponon Drejtoria e Kufirit vetëm në ditët e fundjavave janë regjistruar në sportele mesatarisht 1600 persona në hyrje, që tregon një situatë normale deri në këto momente. Pritet që muaji korrik dhe gusht të kenë edhe fluksin më të lartë të hyrjeve dhe daljeve me shtetin helen.

Sezoni turistik sjell në vend dhe një numër të madh shqiptarësh e kosovarësh që punojnë e jetojnë larg atdheut. E ndërsa fundjavat e fundit kanë regjistruar rritje të numrit të personave që hyjnë në vend përmes Portit të Durrësit, autoritetet portuale, doganore dhe policore u janë përgjigjur me masa konkrete, që pritet të intensifikohen në muajin e ardhshëm. Për të përballuar fluksin janë planifikuar shërbime shtesë dhe funksionim i plotë të të gjitha sporteleve.

Drejtues të policisë kufitare dhe doganës bëjnë të ditur se do të synohet një përpunim në një kohë sa më të shpejtë i shtetasve dhe automjeteve në hyrje e dalje, përmes lehtësimit të procedurave kufitare për emigrantët dhe pushuesit që mbërrijnë në vend. Do të punohet me intensitet për të shmangur kohëqëndrimin në radhë për përpunim të udhëtarëve dhe makinave që mbërrijnë me tragetet e linjave detare që lidhin portin kryesor të vendit me portet italiane të Barit, Triestes dhe Ankonës.

Masa janë marrë dhe nga agjencitë detare të lundrimit të cilat kanë planifikuar të shtojnë numrin e trageteve dhe të prekjeve në kalata për të përballuar kërkesat për lundrime në këtë sezon të nxehtë, jo vetëm në temperatura dhe fluks, por edhe në çmimet që ofrohen për pasagjerët. Ndërkaq e gjithë vija bregdetare do të patrullohet nga shërbimet e policisë kufitare në bashkëpunim me Guardia di Finanza për t’i ardhur në ndihmë pushuesve në plazhe dhe për të parandaluar trafiqet e paligjshme. Edhe në Portin e Vlorës janë marrë të gjitha masat organizative, teknike për të rritur cilësinë e shërbimit. Në Portin e Vlorës janë hapur 8 sportele për kontrollin e pasagjerëve, 4 prej tyre janë për personat me automjete dhe 4 të tjera për pasagjerët që hyjnë pa automjete. Ndërsa 2 sportele janë vetëm për turistët e huaj, të cilët kanë dhe më shumë prioritet pasi nuk dinë gjuhën.

Top Channel