Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se sektori i energjisë vazhdon të mbetet në tranzicion dhe i padisiplinuar financiarisht.
Kur po mbushet gati një vit që nga koha kur OSSH kaloi në dorë të privatëve, shifrat tregojnë se humbjet dhe vjedhjet e energjisë mbeten në nivele të larta. Sipas të dhënave të Entit Rregullator, në fund të katër muajve të parë të vitit, humbjet e energjisë në shpërndarje, ishin sa 35.8 për qind e totalit të energjisë së hedhur në rrjet. Ndonëse është 1.7 për qind më e ulët se katërmujori i parë i vitit të kaluar, krahasuar me 2008-ën humbjet janë rritur.
Në deklaratën rregullatore, Enti i Energjisë i ka vënë detyrë OSSH, tashmë private që gjatë këtij viti t’i ulë humbjet e energjisë në shpërndarje me 4 përqind, duke i cuar ato në nivelin 30 për qind. Por për katër muajt e parë shifra është 5.8 për qind më e lartë nga objektivi, cka tregon se menaxhimi i sektorit energjetik po rezulton i vështirë edhe për privatët.
Vec humbjeve të dhënat tregojnë se edhe treguesi tjetër ai i arkëtimeve mbetet problematik, madje me përkeqësim, krahasuar me vitet e mëparshme. Në fund të katërmujorit, arkëtimet e energjisë ishin 5 për qind më të ulëta se një vit më parë. Për sa kohë sektori i shpërndarjes do të vazhdojë të mbetet i shthurur financiarisht, konsumatorët e ndershëm do të vazhdojnë të paguajnë energjinë dyfish, edhe pë rata që vjedhin. Nga ana tjetër rreziku që autoritetet t’i rikthehen sërish kurës së vjetër, asaj të rritjes së ccmimit e cila sërish bie mbi ata që paguajnë, do vijojë të mbetet i lartë.
Top Channel