F1, Valencia, triumfon Fetel

27/06/2010 16:20

Sebastian Fetel fiton Çmimin e Madh të Europës të zhvilluar në Valencia. E ka filluar nga vendi i parë piloti gjerman i skuadrës Red Bull dhe e ka mbajtur atë deri në fund i pashqetësuar për asnjë moment.

Ndërkohë në start shoku i tij i skuadrës Mark Veber humbet menjëherë rreth 7 pozicione duke zbritur nga vendi i dytë në të 9-in. Por sikur të mos mjaftonte kaq, piloti australian bëhet protagonist i një aksidenti të frikshëm e spektakolar, ku ka goditur nga pas Lotusin e Heiki Kovalainen për t’u ndalur në muret rrethues të pistës. Për fatin e tij të mirë nuk ka pasur asnjë dëmtim.

Ndërkohë Fernando Alonso e filloi mirë garën, por në momentin e futjes së makinës së sigurisë në pistë, drejtuesit e Ferrarit zgjodhën momentin e gabuar për ta futue në bokse si atë ashtu edhe shokun e tij të skuadrës Felipe Masa, duke i renditur ata në vendin e nëntë dhe Masën në të 15-in pas largimit të makinës së sigurisë. Ky ndryshim i menjëhershëm i pozicioneve i humbi ritmin atyre duke mos i dhënë më mundësinë të renditen më mirë se kaq.

Një tjetër pilot thuajse i panjohur, befas është bërë protagonist në Valencia. Kobajashi me BMW-Sauber ka qëndruar për pjesën më të madhe të garës në vendin e tretë, por e humbi atë për shkak të pit stopit 3 xhiro para përfundimit të garës, por pavarësisht kësaj në këto tre xhiro ai pati mundësinë për t’u renditur i shtati pasi parakaloi Alonson dhe Bueminë në kthesat e fundit.

Top Channel