Energjia, tjetër rritje çmimi më 2011

25/06/2010 08:55

Shqiptarët do të përballen me një tjetër rritje të çmimeve të energjisë elektrike në janar 2011.

Konfirmimi vjen nga Enti Rregullator i Energjisë, i cili sapo ka korrigjuar nivelin e humbjeve në rrjet, element tepër i rëndësishëm në përcaktimin e tarifave të reja.

Të dhënat e fundit tregojnë për një nivel humbjeje me të paktën 34 për qind, ose 1 për qind më lart nga periudha kur ERE mori vendimin për rritjen e çmimeve me rreth 13 për qind.

“Në vendimin e muajit dhjetor për rritjen e çmimeve, niveli i humbjeve ishte 33 për qind, gjë që u kundërshtua nga OSSH-ja, duke pretenduar një masë prej 35.7 për qind. Nga verifikimet në terren dhe te linjat e përcjelljes së energjisë, rezulton se niveli i humbjeve paska qenë 34 për qind. Kjo do të thotë se OSSH-së i lind e drejta që tani të kërkojë rritje me të paktën 1 për qind, por analizat dhe studimet do të nisin në shtator, për të marrë një vendim përfundimtar”, tregon për “Shqip” një burim zyrtar i ERE-s.

Sipas tij, me situatën aktuale, rritja e çmimeve të energjisë është e pashmangshme në vitin 2011.

Top Channel