Brazil-Portugali, “spektakël” kartonash, barazimi mjafton

25/06/2010 18:05

Brazili dhe Portugalia kanë bërë thjesht detyrën në ndeshjen e fundit të Grupit G ku kanë ndarë një barazim pa gola, cka u ka lejuar që të dyja skuadrat të vazhdojnë më tej.

Pritej një ndeshje spektakolare luksi dhe e tillë ka qënë por “spektakli” është zhvilluar më shumë në mesfushë ku numri i madh i kartonave të verdhë, 4 për luzitanët dhe 3 për Brazilin, i hoqi bukurinë takimit. Dunga la pushim një pjesë të titullarëve dhe kjo u ndie tek loja e 5 herë kampionëve të botës, të cilët zhvilluan një pjesë të parë më të mirë së 45 minutat e dyta.

Në fraksionin e dytë të lojës portugezët mund të kishin shënuar me Meireles, por ky i fundit u tregua i pasaktë para Julio Cesar, duke i hequr Portugalisë mundësinë për të marrë vendin e parë në grup. Ndeshja tjetër e këtij grupi mes Bregut të Fildishtë dhe Koresë së Veriut përfundoi 3-0 në favor të afrikanëve, të cilët duhej të shënonin plot 8 gola dhe të shpresonin në një humbje të Portugalisë për t’u kualifikuar në fazën tjetër.

Brazili dhe Portugalia janë në pritje për të njohur kundërshtarët e fazës tjetër ku matematikisht të katërta skuadrat e cifteve Kili-Spanjë dhe Honduras-Zvicër janë në garë për të vazhuar më tej.

Top Channel