Botërori përfshin edhe presidentin Topi

25/06/2010 00:25

Ethet e Botërorit Afrika e Jugut 2010, që kanë përfshirë gjithë globin, “përpijnë” edhe politikanë e personalitete publike në Shqipëri. Një ndër ta është edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili njihet publikisht si një simpatizant i futbollit.

Nëpërmjet një lidhje direkte mundësuar nga “Proçes Afrika” në Top Channel presidenti Topi ka dhënë mendimet e tij për evenimentin e momentin në gjithë rruzullin si dhe ka zbuluar skuadrat me të cilat simpatizon.

“Në momente të tilla kaq të rëndësishme për të gjithë globin, të gjithë jemi të fokusuar tek skuadrat të cilat i simpatizojmë”, nisi fjalën e tij presidenti Topi.

Më tej kreu i shtetit foli për skuadrën që simpatizon në këtë Botëror dhe për “rrugëtimin” e tij nga tifoz i Holandës në tifoz të Italisë.

“Fillova të afeksionohem me Holandën që nga loja e Ajaksit të famshëm në vitet 1970, dhe pastaj natyrshëm në 1974 në Botërorin e zhvilluar në Gjermani isha simpatizant i Holandës edhe në ’78-ën po ashtu. Mesa duket në vitet ’80, ndikuar edhe nga fakti që kemi ndjekur kampionatin italian, kam qënë dhe vazhdoj të jem tifoz i Juventusit në kampionatin italian. Ndjenjat që kanë të bëjnë me ekipet mesa duket janë dinamike”, tha më tej presidenti Topi.

Më tej kreu i Republikës komentoi angzhimin personal të homologut të tij francez, Nikolas Sarkozi, pas eleminimit të turpshëm të Francës prej Botërorit.

“Pa dashur të mbaj një qëndrim kritik, do ta konsideroja angazhimin e Sarkozisë një angazhim post mortum, sepse Franca pati një fund shumë të hidhur. Nëse autoritetet franceze do ishin marrë me kombëtaren prej kohësh për të parandaluar këtë situatë, gjërat do të ishin mirë. Gjithësesi po mendojnë për kampionatin pas 4 viteve dhe kjo është gjë e mirë”, vijoi zoti Topi.

Presidenti në fund të fjalës ka dhënë mendimin e tij lidhur me pretendentët për trofeun në këtë kampionat. Sipas tij futbolli amerikano-latin i përfaqësuar nga Brazili dhe Argjentina mbetën pretendentët kryesorë të këtij trofeu.

“Do dëshiroja që për emrin që ka, Anglia të kishte mundësi të vazhdonte në këtë kampionat. Preferoj në një kampionat botëror emrat e mëdhënj, ndonëse duhet të përgëzoj ekipet e tjera të cilat kanë luajtur me dinjitet në këtë Botëror”, mbylli fjalën e tij zoti president.

Top Channel